Kosova regjistron tetë viktima dhe 194 të infektuar me koronavirus

27/04/2021 18:10

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të martën në Kosovë tetë viktima me koronavirus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Drenas 1 rast (69 vjeç), Ferizaj 1 rast (74 vjeç), Leposaviq 1 rast (68 vjeç), Prishtinë 1 rast (75 vjeç), Prizren 1 rast (70 vjeç), Skenderaj 1 rast (72 vjeç), Viti 1 rast (76 vjeç), Vushtrri 1 rast (92 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 194 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 2,285 mostrave.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 27 prill janë shëruar 599 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 9,671.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 104,390 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,148 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Top Channel