KQZ bie dakord me raportin e OSBE/ODIHR, Celibashi: Vlerësimet janë realiste! Komenti për problemet e anëtarëve të KZAZ

26/04/2021 19:26

Kryekomisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi ka folur për raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR lidhur mbi ecurinë e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Celibashi tha se gjetjet janë realiste dhe KQZ bie dakord me opinionin e tyre.

“E di që ka pasur probleme por numri i kërkesave është shumë i madh për ta aksesuar këtë faqen. Është një numër përdoruesish i tillë që krijon vonesa në kërkimin e informacionit. Sikurse edhe ju jeni në dijeni, sot misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri doli me raportin paraprak, kryesisht mbi atë çfarë kanë vërejtur në ditën e votimit. Ne i gjejmë të gjitha vlerësimet realiste dhe qoftë ato pozitive, qoftë ato negative kanë të njëjtin opinion si KQZ”, tha Celibashi.

Ndërsa për problematikat që janë hasur gjatë numërimit të votave, Celibashi tha se puna është e vështirë dhe të gjithë janë nën tension.

“Per fat të keq, vazhdojmë të kemi probleme në sjelljen e anëtarëve të KZAZ-së dhe grupeve të numërimit në lidhje me administrimin e këtij procesi. Jemi të ndërgjegjshëm që puna është e vështirë dhe nën tension.

Vlen të thuhet që KQZ ka reaguar dhe ajo çfarë vlen të theksohet është se pas ndryshimit, situata ka ndryshuar. Në momentin që flasim, nuk kemi informacion që të jetë ndërprerë procesi i numërimit në ndonjë KZAZ. Në faqen e internetit të KQZ gjenden të gjitha informacionet edhe për qendrat e votimit që janë përfshirë në rezultat”, tha Celibashi.

Në lidhje me raportimet e shqetësimeve, Celibashi tha se kandidati për deputet Boiken Abazi ka thënë se janë vënë parregullsi në disa KZAZ të Tiranës, por për të gjitha këto do të merren vendimet e duhura nga KQZ.

“Kemi pasur disa raportime nga kandidatët për deputet, së fundmi ngsa Boiken Abazi në lidhje me parregullsi sipas tyre të vërejtura në disa KZAZ të Tiranës në lidhje me mënyrën si është bërë vlerësimi. Jemi duke e ndjekur si situatë dhe përsa i takon KQZ do të mbajmë qëndrimet e duhura dhe do të marrim vendime”, tha Celibashi.

Top Channel