Një përfaqësues i një subjekti politik është arrestuar, pasi dyshohet se kërcënoi me armë zjarri një shtetas dhe kundërshtoi policin, në qendrën e votimit, në Lekbibaj.
Nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 0489, e cila ndodhet në shkollën e fshatit Lekbibaj, është kërkuar ndërhyrja e Policisë për një konflikt në ambientet e shkollës.
Pas marrjes së vendimit Nr. 01 datë 25.04.2021, janë afruar shërbimet e Policisë dhe nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Gj. Gj., përfaqësues i një subjekti politik, së bashku me vëllezërit e tij shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj., kanë kërcënuar me armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe goditur me sende të forta shtetasin A. N., përfaqësues i një subjekti tjetër politik.
Gjithashtu, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dëmtuar dhe shkatërruar pronën e kësaj shkolle, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit Gj. Gj., 62 vjeç, banues në Lekbibaj, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, “Kanosja” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj. dhe po punohet për kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Me vendim të Qendrës së Votimit, Nr. 2, datë 25.04.2021, ora 13:35, Policia është larguar nga QV dhe procesi i votimit vijon normalisht.
Top Channel