Zhang pret biletën për Milano, vjen me 250 milionë euro “në xhep”

24/04/2021 11:01

Pas një mungese disa mujore dhe dështimit të tentativës për të shitur klubin e Interit, presidenti zikaltër Stiven Zhang pritet të rikthehet në Milano fundjavën e ardhshme, këtë herë bashkë me 250 milionë euro në xhep.

Lajmin e japin mediat italiane, që duke cituar burime pranë grupit kinez Suning, konfirmojnë se shifra që do të shërbejë për të konsoliduar situatën financiare në klubin milanez do të sigurohet nga një fond amerikan, që do të hyjë si aksionar minorance, duke blerë aksionet e kompanisë nga Singapori, Lion Rock.

Numri një i klubit zikaltër pritet të nisë menjëherë punën duke takuar drejtuesit e klubit për t’u shpalosur projektin për sezonin e ri, ndërsa më 9 maj pritet të ndjekë edhe ndeshjen ndaj Sampdorias në “San Siro”, ku mund të sigurohet edhe matematikisht titulli kampion.

Vetëm pasi të jetë arritur objektivi, pra triumfi në kampionat, pritet të ketë një takim të gjatë edhe me trajnerin Antonio Conte, ku natyrisht do të diskutohet projekti i presidentit për të ardhmen dhe do të shihet nëse do të rinovohet kontrata mes palëve.

Ndërkohë me 250 milionë eurot e siguruara nga fondet amerikane (Bain Capital LP ose Oaktree Capital Management), pritet të shlyhen të gjithë detyrimet e prapambetura, pasi Zhang u ka dhënë garanci lojtarëve se deri në fund të muajit maj do të kenë marrë të gjithë pagat e prapambetura, bashkë me bonuset për titullin kampion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA