Autoriteti i Mediave Audiovizive ditën e sotme ka dalë me një deklaratë ku thotë se: “Subjektet audio dhe audiovizive duhet të respektojnë kërkesat e Kodit Elektoral për periudhën e heshtjes zgjedhore”.
“Nga dita e sotme (24.04.2021) dhe deri në përfundim të orarit të votimeve gjatë ditës së nesërme, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor të Republikës, është periudhë e heshtjes zgjedhore. Në nenin 77, pika 2 përcaktohet qartë se në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, ndaj dhe AMA rikujton të gjitha subjektet audio dhe audiovizive që ta respektojnë këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor.
Kjo ndihmon në atmosferën e zhvillimit të votimeve më 25 prill 2021, mbështet qytetarët që të ushtrojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike verdiktin për votën e tyre.
AMA është në proces monitorimi edhe të kësaj faze të rëndësishme për të indentifikuar raste konkrete të shkeljes apo injorimit nga OSHMA-të të kësaj kërkese të Kodit Zgjedhor. AMA siç ka raportuar gjatë gjithë ditëve të fushatës elektorale pranë KQZ-së, për të gjitha rastet e mosrespektimit të kërkesave të Kodit nga subjektet audio e audiovizive, do të vijojë procesin e raportimit korrekt për rastet e identifikuara gjatë monitorimit të ditës së sotme dhe të nesërme, deri në mbyllje të votimeve”, thuhet në deklaratën e AMA.
Top Channel