Dhunimi i aktivistes së PD nga drejtuesi i policisë, reagon Ministria e Brendshme: Ka nisur hetim administrativ!

24/04/2021 14:40

Ministria e Brendshme njofton se kanë nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur në Divjakë, ku aktivistja e PD e identifikuar si Elsa Bita pretendon se është dhunuar nga drejtuesi i policisë.

SHÇBA ka nisur një hetim ndërsa pritet që të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra. Ndërsa thekson se Policia e shtetit është angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike.

Simpatizantja e PD-së, Elsa Bita është dhunuar në Divjakë pasi po filmonte një takim në një lokal dhe pretendonte se ishte elektoral.

Top Channel ka siguruar momentin kur ndiqet me vrap nga një person, për të cilin Bita pretendon se është shefi i komisariatit të policisë Divjakë, Altin Shehu.

“Bjere këtu telefonin. Hajde këtu, bjere, zhduke, hiqe”, dëgjohet duke thënë personi që e ndjek dhe ajo përgjigjet: “E di me kë e fjalën apo jo.”

Ngjarja nisi pasi Bita ishte në një video live në Facebook, duke thënë se të gjitha makinat janë parkuar para lokalit se po bëhet mbledhja duke thënë se janë automjetet e administratës.

Njoftimi i policisë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se:

Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat.

Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike.

Top Channel