Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, Thethi është i bllokuar nga dëbora. Kjo ka sjellë edhe problemin për dërgimin e fletëve të votimit në këtë zonë.
Në emisionin Wake Up në Top Channel në një lidhje Skype foli Gjon Shpella, banor i kësaj zone ku tregoi problematikat e zonës.
“Situata është shumë e vështirë. Është i bllokuar që nga dhjetori. Deri para dy viteve ne si komunitet i kemi mbledh lekët dhe kemi hap rrugën ne si komunitet. Por nga pandemia nuk kishim mundësi. Pandemia na ka godit dy herë. Shumë banorë nuk po jetojnë këtu, pasi është thuajse e pamundur, jetesa këtu është e vështirë, pasi jemi të izoluar. E vetmja rrugë është ajo nga Prekali dhe është 7-8 orë larg.
Për sa i përket votimeve kam marrë vesh se fletët e votimit do i sjellin me helikopter. Janë përcaktuar edhe listat dhe zonat e votimit. Janë mbi 520 votues në Theth por besoj se do votojnë më pak. Kjo sepse shumë janë në Shkodër dhe nuk jetojnë në Theth dhe për arsye të kushteve të vështira atmosferike, prej izolimit”- tha Shpella.
Top Channel