Një park i ri i shtohet kryeqytetit, Veliaj: Kemi nevojë për lule e gjelbërim, jo për prerje duarsh dhe kërcënime

23/04/2021 19:13

Një tjetër hapësirë e gjelbër rekreative dhe çlodhëse i është shtuar kryeqytetit. Parku i “Vëllezërve Frashëri”, në hyrje të Njësisë 5 është transformuar totalisht falë ndërhyrjes së Bashkisë Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me deputetin Pandeli Majko inauguruan parkun e ri. Veliaj u shpreh se është krenar për gjithë punën e bërë, ndërsa thekson se tashmë e gjithë zona do të ketë një frekuentim më të madh nga banorët.

“Është punuar tamam si ato lulishtet që kemi parë në Japoni dhe në vendet Aziatike. Jo të gjithë kanë nevojë të shkojnë te Liqeni në gjithë këtë komunitet banorësh duke filluar nga zona e Bllokut, te zona e Kuvendit. Tashmë kanë një hapësirë shumë cilësore pa u larguar shumë nga shtëpitë e tyre. E njëjta dhe tek Piramida, siç bëmë këndin e lodrave, mbrapa do jetë e gjitha një park. Kështu që komunitetet, brenda një rreze 1 km do të kenë një park cilësor përtej parqeve që le të themi janë më masive për aktivitete më të mëdha”, tha Veliaj.

Për skeptikët, kryebashkiaku tha se puna flet vetë dhe pasi tregohet puna bie histeria e ngelet historia.

“Mesazhi që japim me këtë park të ri, është që kemi nevojë më shumë për lule, sesa për prerje duarsh dhe kërcënime. Kemi nevojë më shumë për pemë, sesa për vrasje dhe makabritete që kemi dëgjuar në këtë kohë fushate. Kemi nevojë më shumë për gjelbërim edhe për dashuri, sesa për përçarje dhe për ndasi. Kështu që kush ka dyshime se çfarë përfaqëson një forcë, edhe një tjetër, ata përfaqësojnë prerjen e duarve dhe vrasjet për politikë, me një kthim në një mesjetë edhe një sjellje që mendonim ishte larguar nga Shqipëria në vitet e vështira të tranzicionit. Ne jemi ata që përfaqësojmë lulet, barin, pemët, edhe çdo gjë të bukur”, theksoi ai.

Në fund Veliaj citoi Sami Frashërin: “’Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?’. Ç’ka qenë e dinë ata, ç’është po e bëjmë ne, ç’do të bëhet e kanë në dorë votuesit.”

Deputeti Pandeli Majko, njëkohësisht kandidat i PS-së për Tiranën vlerësoi punën e bërë nga Bashkia Tiranë, ndërsa tha se e bukura flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA