Vendet e BE-së vendosin synim të ri për zvogëlim të gazrave serrë

21/04/2021 09:11

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një projektligj rreth klimës, që mund të zvogëlojë emetimet e gazrave serrë për të paktën 55 për qind deri më 2030.

Përfaqësuesit e 27 qeverive, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, kanë arritur këtë marrëveshje më 21 prill, pas disa muajsh negociata.

“Ky është moment historik për BE-në dhe sinjal i qartë për botën: përkushtimi ynë ndaj neutralitetit klimatik në BE do të drejtojë politikat tona në 30 vitet e ardhshme”, ka thënë nënpresidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans, i cili është i ngarkuar me çështje klimatike.

Qeveritë e bllokut evropian dhe parlamenti do të duhet të miratojnë edhe formalisht ligjin, mirëpo marrëveshja politike tregon se ai do të miratohet, pavarësisht kundërshtimeve të të Gjelbërve.

Objektivi i ri përbën rritje prej synimit të vënë më parë për zvogëlim për 40 për qind të emetimeve që nxisin ngrohjen globale, në krahasim me nivelet e viteve 1990.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë publike këtë javë objektivat për zvogëlim të gazrave serrë.

Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë nikoqir i një samiti për klimën më 22 prill.

Pjesë e samitit do të jenë shumë liderë botërorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA