Një oficer policie në shtetin amerikan të Ohajos ka qëlluar për vdekje një vajzë 16-vjeçare me ngjyrë ndërsa po i përgjigjej një emergjence për sulm me thikë.
Adoleshentja e përfshirë në incident, në kryeqytetin e shtetit Columbus, është identifikuar si Ma’Khia Bryant.
Policia e Columbus ka publikuar pamje nga kamerat e trupit nga skena që tregon disa njerëz që sulmojnë një person para se vajza të qëllohet disa herë.
Hetimi ka nisur, ndërkohë që, zyrtarët u bëjnë thirrje banorëve vendas të qëndrojnë të qetë.
Oficeri i përfshirë në akt, i cili nuk është emëruar ende, është vendosur në pushim administrativ, raportojnë mediat amerikane.
Pamjet nga kamerat e trupit tregojnë një grindje me një grup individësh jashtë një shtëpie përpara se njëri prej tyre, që thuhet të jetë Ma’Khia Bryant, duket se rrëzohet nga një anëtar tjetër i grupit.
Një oficer policie më pas i afrohet grupit në autostradë dhe bërtet “zbrisni” para se të hapte disa të shtëna, duke plagosur fatalisht vajzën.
Zyrtarët kanë thënë se oficeri hapi zjarr për të shpëtuar jetën e një prej vajzave, edhe pse një grua e identifikuar në mediat lokale si halla e zonjës Bryant tha se mbesa e saj thjesht po mbronte veten pasi u sulmua.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Unë dua përgjigje”, tha nëna e vajzës.
Në një konferencë për shtyp, shefi i përkohshëm i Policisë së Columbus, Mike Woods, tha se hetimi po kryhet nga Byroja e Hetimit Penal në Ohio. “Në përfundim të këtij hetimi, policia do të kryejë një rishikim administrativ të veprimeve të këtij oficeri dhe të gjithë oficerëve në vendngjarje. Ky është një incident tragjik për të gjithë të përfshirë, por veçanërisht për familjen e vajzës“.
Top Channel