Reja po kërkon një mesfushor/ Ka disa kandidatë nga Kosova dhe Maqedonia, por të vështirë të binden

21/04/2021 20:24

Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja është i pranishëm këto ditë në Tiranë për të ndjekur seleksionimet e moshave të ndryshme të ekipeve zinxhir të kombëtareve. Edi Reja ndodhej në Kamëz ditën e martë për ndeshjen e moshave të ditëlindjes 2004/2005.

“Jemi duke bërë disa përzgjedhje, duke parë më nga afër sektorin e të rinjve në ekipet zinxhirë të kombëtares. Këta janë lojtar që vijnë nga kampionati vendas dhe niveli është i mirë, Në pamje të parë vihet re një fizik shumë i mirë, por duhen ndjekur nga afër dhe në vazhdimësi. Por është një fillim i mire”.

Ndërkohë që paraqitjet e fundit të kuqezinjve veç rezultatit kanë qenë jo të mira dhe trajneri është i qartë se çfarë na mungon.

“Kam grumbulluar për ndeshjet tona miqësore që kemi rreth 30 lojtarë dhe shpresoj të gjejmë ndonjë emër të ri për ndeshjet zyrtare të shtatorit. Në ndeshjet e fundit nuk kemi luajtur fare mirë. Me skuadrat që mbyllen mbrapa nuk gjejmë dot zgjidhje dhe ky është problem, na duhet një lojtar që luan në mesfushë topin dhe gjen alternativa për ndeshje të tilla. Kishim Bajramin si alternativë por na doli problemi me dokumentacionin. megjithatë kam edhe disa alternativa por janë me origjinë kosovare apo nga Maqedonia e Veriut dhe shpesh me ta ka probleme që të binden për të luajtur me ne”.

Në fund i pyetur për ngjarjen më të përfolur të ditës që është ajo e Super Ligës Europiane, Reja ka të njëjtin mendim si kushdo që e do futbollin.

“Superliga nuk është futboll është biznes. Unë jam më tepër në formatet që kërkojnë merita për të arritur tek suksesi. Të fitosh Campionsin duhet të kesh merita dhe duhet të kualifikohesh që në kampionatin vendas, ndërsa këta shihnin vetëm interesin ekonomik dhe kur flitet për para minimizohen vlerat e futbollit”.

Top Channel