Mjekët e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexey Navalny thonë se nuk u lejuan ta vizitonin atë, pavarësisht njoftimeve se ai është i sëmurë rëndë nga një grevë urie e vazhdueshme.
Sipas mjekes së tij personale, Dr. Anastasia Vasilyeva, ajo dhe tre ekspertë të tjerë mjekësorë u përpoqën ta vizitonin Navalnyn në një klinikë burgu, por atyre iu ndalua hyrja. Ata thanë se pritën jashtë portave të burgut për orë të tëra.
“Është një mungesë respekti dhe një tallje me mjekët”, tha Dr. Vasilyeva në një postim në Twitter, duke vënë në dukje se “jeta dhe shëndeti i Navalnyt janë qartësisht në rrezik”.
Të dielën, Navalny u zhvendos nga një burg penal në lindje të Moskës në spitalin e një burgu në Vladimir, rreth 180 kilometra në lindje të Moskës.
Të hënën, shërbimi rus i burgjeve tha se gjendja e Navalnyt ishte “e kënaqshme”, por një raport tjetër nga mjeku i tij, Dr. Yaroslav Ashikhmin, tha se Navalny vuante nga nivele të larta të kaliumit, i cili mund të shkaktojë një sulm në zemër dhe rritje të niveleve të kreatininës, duke treguar potencialisht funksionim të dobësuar të veshkave.
Navalny, 44 vjeç, filloi grevën e urisë në fund të Marsit për të protestuar ndaj asaj që ai tha se ishte mungesë e kujdesit mjekësor për dhimbjet e forta të shpinës dhe këmbëve.
Navalny i mbijetoi një helmimi gati fatal vitin e kaluar dhe u arrestua kur u kthye në Moskë në janar pas trajtimit mjekësor që mori në Gjermani. Kremlini mohon të ketë patur ndonjë rol në helmimin e tij.
Alexei Navalny u dënua me dy vjet e gjysmë burg në shkurt për evazion fiskal dhe po mbahej në një burg në Pokrov, të cilin ai e përshkroi si “një kamp i vërtetë përqendrimi”.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Kremlinit lidhur me helmimin dhe shumë prej tyre po kërkojnë lirimin e Navalnit.
Ndërsa shëndeti i Navalnyt po përkeqësohet, autoritetet ruse i kanë kërkuar zyrës së prokurorit të Moskës që të shpallë organizatën e Navalnyt, Fondacioni për Luftimin e Korrupsionit, një organizatë ekstremiste.
Aleatët e Navalnyt kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të mërkurën, kur Presidenti rus Vladimir Putin pritet të mbajë fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen në vend./VOA
Top Channel