Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre autorët e plagosjes së sekretarit të PD-së, brenda selisë blu në Kavajë.
Të arrestuarit janë Ndriçim Tahiri/ Jonuzi, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini. Markel Shtylla ishte shefi i policisë bashkiake të Kavajës, por është liruar nga detyra ditën e djeshme, ndërsa Dorian Troplini ishte oficer i policisë, por edhe ky i fundit është pezulluar nga detyra.
Njoftimi i plotë:
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestuan shtetasit: N. T.(J.), 45 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, dhe D. T., 29 vjeç dhe M. Sh., 29 vjeç për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim, pasi më datë 19.04.2021, shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin B. O., ndërsa shtetasit D. T dhe M. Sh. nuk kanë kallëzuar për krimin.
Ai që shkrepi armën në drejtim të sekretarit të PD-së, Bledash Oshtuni ishe Ndriçim Tahiri/ Jonuzi, një person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ishte dënuar me tetë vite burg nga shteti italian për veprën penale vrasje.
E ndërsa kjo situatë u trajtua si politike nga ana e opozitës, vetë Ndriçim Tahiri, dje, në një video nga arratia sqaroi se ka qenë gjithmonë simpatizant i PD-së dhe se me deklarata e fundit kryetari i PD-së, Lulzim Basha ia kishte humbur të gjitha sakrificat q ai kishte bërë për këtë forcë politike.
Top Channel