Në redaksinë e emisionit ‘Fiks Fare” kanë mbërritur disa ankesa në lidhje me mënyrën se si u shërbejnë shqiptarëve ambasadat dhe konsullatat.
Ankesa e parë ishte e një zonjë e cila banon prej 7 vitesh në Holandë. “Më 8 shtator 2020, kam aplikuar për pasaportë për djalin e sëmurë. Për shkak të Covid më kanë shtyrë takimet. Djali është 8 vjeç dhe është invalid. Pasaporta i ka skadur në shtator të vitit 2020. Në Ambasadën Shqiptare në Belgjikë kam aplikuar dhe më kanë lënë takim dhe më kanë çuar e-email. Këtë takim e kanë shtyrë disa herë. U detyrova që të shkoja me djalin e sëmurë disa ditë më parë. Kur hyra brenda më thanë pse ke ardhur. Më thanë se s’punojnë kompjuterët, se janë zgjedhjet në Shqipëri. Ka rënë sistemi. Unë e kam 250 kilometra larg ambasadën” thotë Pranvera Qosja.
Ajo thotë se djalin e ka të sëmurë, invalid, as nuk ecën, as nuk flet. “Për shkak të pasaportës, çunit s’i japin letrat holandeze. I kam thënë atë ditë asaj zonjës, bëj diçka se mua më ngelin letrat e djalit pa marrë. Këtu të shkosh në spital pa pasaportë s’të pranon askush. Ju kam dhënë numër kontakti, adresë e-maili. As në telefon nuk përgjigjen. Në e-mail mu përgjigjen pas 1 jave. Më thonë takimet janë online. Nuk më ka lajmëruar askush për anulimin e takimeve!” thotë ajo, ndërsa shton se ka kontaktuar më shumë me e-mail sesa me telefon. “Më kanë thënë se rasti jot nuk është urgjent. Kam kontaktuar disa herë që të më lëshojnë një datë të saktë se nuk të lënë në doganë për shkak të Covidit. Edhe komuna ka provuar t’i telefonojë dhe ata asnjëherë nuk janë përgjigjur” vijon më tej.
Pranvera thotë se i ka dërguar vazhdimisht e-maile dhe ka marrë më në fund një përgjigje. “I kam shkruar se po luanin me një fëmijë të sëmurë, që ta çoj për 250 kilometra. Ai ka qarë gjithë rrugës, s’mund të rrinte në makinë. I kam thënë të lutem më ktheni një përgjigje ta di të saktë. Dhe kam marrë një e-mail që ne edhe mund të mbyllim derën e ambasadës! Për çfarë arsye?! E kam e-mail që ma ka nisur. I kërkova vetëm një takim të ri, e di ça do të thotë një fëmijë invalidë. S’mund të bëj asnjë veprim me djalin në spitalet e Holandës, madje i kam shtyrë edhe takimet” përfundon ajo.
Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërriti një tjetër ankesë nga qyteti i Selanikut, në Greqi. “Jetoj në Greqi prej 23 vitesh. Kam një problem me djalin. Patëm për të nxjerrë pasaportën në shtator. Unë jetoj afër Selanikut. Kam shkuar në Selanik më 26 gusht 2020. Bëra një kërkesë për djalin që të nxirrte pasaportën se është i paralizuar. Të më vinin në shtëpi. Nuk mund të rri në makinë, vetëm me ambulancë. Edhe me ambulancë do staf mjekësor me oksigjen” thotë Skënder Tola. Ai pohon se pasaporta i ka skaduar në 7 shtator 2020. “Kam shkuar në Konsullatë dhe më thanë bëj kërkesë. Më kanë thënë do vijmë nga Shqipëria dhe unë jam akoma në pritje. S’mund të bëj asnjë gjë pa pasaportën. Më kanë thënë se do të më vinin në shtëpi, se 40 minuta rrugë është larg me makinë nga Selaniku. Më kanë mbajtur me gënjeshtra” vijon Skënderi, ndërsa thotë se asnjëherë s’më kanë thënë jo, por askush nuk i kishte shkuar. “Djali është akoma pa pasaportë.
Pa këtë pasaportë sjell shumë pasoja pasi të gjitha janë të lidhura me pasaportën. Atij i ka mbaruar leja e qendrimit. Edhe kemi probleme me dokumentet që do plotësojmë për ushqimin që ia sjellin të përgatitur, se nuk ushqehet nga goja. Më thonë deri sa të dorëzosh lejen e qëndrimit, s’mund të ma sjellin. As ilaçe, as siguracion, asnjë gjë” përfundon Skënderi.
Pas ankesës, Fiks Fare kontaktoi me Ministrinë e Jashtme, duke i bërë prezent edhe problematikën e djalit të paralizuar. Nga kjo ministri na u premtua se do të verifikojnë rastin dhe do të dërgojnë një grup në Selanik. Disa ditë më vonë, Fiks Fare komunikon me familjen Tola, ku nëna e djalit të paralizuar thotë se kishin shkuar një grup. “Erdhi një grup nga Tirana prej 3 personash. Kemi 3 ditë që e kemi marrë pasaportën. Tani s’ka probleme as me lejen e qëndrimit, as me ilaçet dhe as me ushqimin. Shumë faleminderit” përfundon nëna e djalit të paralizuar.
Top Channel