Departamenti amerikan i Shtetit reagoi ashpër ndaj planeve ruse për të bllokuar disa pjesë të Detit të Zi, duke i cilësuar ato si “përshkallëzim të paprovokuar” të situatës.

Një bllokim i tillë mund të bëjë që të pengohet hyrja në portet e Ukrainës. Ishte shtypi rusi ai që raportoi fillimisht se Moska ka ndërmend të ndërmend të mbyllë për 6 muaj disa pjesë të Detit të Zi për anijet e huaja ushtarake, ç’ka do të krijonte ngërçe të hyrjes në portet ukrainase në Detin Azov, i cili është i lidhur me Detin e Zi përmes ngushticës Kerç.

Ngushtica ndodhet në lindje të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia më 2014. “Ky paraqet edhe një përshkallëzim tjetër të paprovokuar në fushatën e vazhdueshme të Moskës për të minuar dhe destabilizuar Ukrainën“, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.”Ky zhvillim është veçanërisht shqetësues pas raportimit për grumbullimin e trupave ruse rreth kufijve të Ukrainës“, shtoi ai.

Fotografitë e fundit, video-incizimet dhe të dhëna tjera, tregojnë për rritje të prezencës së ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën dhe Gadishullin e Krimesë, që Moska e ka aneksuar më 2014. Këto të dhëna kanë rritur shqetësimet se Rusia është duke u përgatitur për dërgim të forcave në Ukrainë.Disa analistë kanë thënë se veprimet e fundit të Rusisë mund të jenë test për administratën Biden dhe përkushtimin që ka ndaj Ukrainës.

Meqë tensionet janë në rritje e sipër, presidenti amerikan Joe Biden, i ka bërë thirrje javën e kaluar homologut të tij rus Vladimir Putin, që të marrë masa për të ulur tensionet me Kievin, dhe ka propozuar një samit në mes të dy liderëve, në një shtet të tretë.

Top Channel