Tre persona janë ende në kërkim për incidentin në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë.
Bashkë me Ndricim Jonuzin, i cili qëlloi me plagosi me armë zjarri aktivistin e Partisë Demokratike, në kërkim janë edhe dy punonjës të policisë bashkiake të Kavajës.
Një ditë pas ngjarjes kryebashkiaku i Kavajës Redjan Krali ka firmosur shkarkimin e tyre nga detyra. Ky është urdhri i shkarkimit të dy punonjësve bashkiake, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini të cilët ishin së bashku me Ndricim Jonuzajn kur u dhunua e më pas u qëllua me armë sekretarin e degës së PD në Kavajë, 27 vjecari, Bledi Okshtuni. Ndërkohë që ngjarja është bërë pjesë e betejës politike dhe temë e fushatës.
Partia Demokratike reagoi duke publikuar një foto ku shfaqet në një tavolinë miqësore kryebashkiaku socialist i Kavajës dhe dy policët bashkiakë së bashku me të kërkuarin Ndricim Jonuzaj. Kryebashkiaku pranon njohjen me të kërkuarin.
Më herët kryeministri Rama shkruante se ngjarja nuk ka sfond politik.
“Ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik! Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!”.
Por Partia Demokratike bëri një deklaratë në përgjigje të reagimit të Ramës duke thëne se kryeministri merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma.
“Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!”.
Top Channel