U mblodh ditën e sotme Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen e zhvilluar në Montreux, ku mori pjesë dhe Presidenti i FSHF, Armand Duka, njëherazi edhe anëtar i KE-së së UEFA. Në mbledhjen e sotme Komiteti Ekzekutiv miratoi një format të ri për garat e tij të klubeve, që do të implementohet duke nisur nga sezoni 2024/25. Reformat vijnë pas një konsultimi të gjerë në të gjithë familjen e futbollit dhe morën mbështetjen unanime nga Bordi i ECA dhe Komiteti i Garave të Klubeve të UEFA-s (i përbërë nga një shumicë e përfaqësuesve të klubeve) të premten e kaluar.
Ndryshimet e bëra janë konceptuar për të siguruar të ardhmen pozitive të futbollit evropian në çdo nivel dhe për të përmbushur nevojat në zhvillim të të gjithë aktorëve të tij. Duke konfirmuar pa dyshim angazhimin e përbashkët për parimin e konkurrencës së hapur dhe meritës sportive në të gjithë kontinentin, qëllimi i përbashkët ka qenë gjithashtu të mbështeten ligat lokale të çdo vendi anëtar.
Duke komentuar formatin e ri, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, tha: “Ky format i ri mbështet statusin dhe të ardhmen e lojës gjithashtu në të gjithë Evropën. Ai ruan parimin që paraqitjet në turnetë lokalë duhet të jetë çelësi i kualifikimit dhe rikonfirmon parimet e solidaritetit përmes lojës dhe konkurrencës së hapur.
Ky format i ndryshuar do të mbajë ende gjallë ëndrrën e çdo skuadre në Evropë për të marrë pjesë në UEFA Champions League falë rezultateve të marra në fushë dhe do të mundësojë qëndrueshmëri afatgjatë, prosperitet dhe rritje për të gjithë në futbollin evropian, jo thjesht dhe vetëm për një kartel të vogël, të vetë-zgjedhur. Futbolli është një thesar social dhe kulturor, i pasuruar me vlera, tradita dhe emocione të shpërndara në të gjithë kontinentin tonë.Si organ qeverisës dhe administratorë të përgjegjshëm të lojës në Evropë, është detyrë e UEFA-s të mbrojë këtë trashëgimi duke udhëhequr zhvillimin pozitiv të futbollit në Evropë për federatat anëtare, ligat, klubet, lojtarët dhe tifozët në të gjitha nivelet. Kjo është arsyeja pse ne patëm një proces të gjerë konsultimi gjatë dy viteve të fundit që çoi në mbështetjen unanime të propozimit tonë dhe ne jemi të bindur se këto reforma i arrijnë ato objektiva.Vendimet e mëtejshme në lidhje me çështje të tilla si ri-ekuilibrimi i listës hyrëse, datat e ndeshjeve, sistemi i shortit, formati për finalet, koeficientët dhe shpërndarja financiare do të bëhen deri në fund të vitit dhe rregullimet e mundshme të formatit të aprovuar sot mund të bëhen sërish nëse do të jetë e nevojshme.Në të njëjtën kohë, UEFA gjithashtu do të riafirmojë angazhimin e saj të fortë financiar për të gjithë futbollin evropian dhe do të ndërmarrë hapa për të siguruar që solidariteti më i madh financiar do të shpërndahet në një spektër më të gjerë të klubeve, që nuk marrin pjesë në garat e klubeve UEFA.Kjo do të përforcojë themelin e fortë mbi të cilin është ndërtuar loja e futbollit në Evropë. UEFA gjithashtu do të nisë një dialog me të gjithë aktorët përkatës me qëllim që të propozojë masa mbrojtëse dhe mbrojtje për shëndetin e lojtarëve nëpër gara në të gjitha nivelet”, u shpreh Presidenti Čeferin.
Detajet e formatit
Duke e rritur nga 32 në 36 numrin e përgjithshëm të ekipeve pjesëmarrëse në UEFA Champions League, ndryshimi më i madh do të shohë një transformim nga faza e grupeve tradicionale në një fazë të vetme të ligës, që përfshin të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Çdo klubi tani e tutje do t’i garantohen së paku 10 ndeshje në këtë turne kundër 10 kundërshtarëve të ndryshëm (pesë ndeshje në shtëpi, pesë jashtë), ndërsa deri tani ka pasur të garantuar të paktën 6 ndeshje kundër 3 rivalëve, të luajtura në shtëpi dhe jashtë fushe.
Tetë skuadrat më të mira në këtë ligë do të kualifikohen automatikisht për në fazën e eliminimit direkt, ndërsa ekipet që renditen nga vendin i 9-të e deri në të 24-tin do të garojnë në një play-off me sistem vajtje-ardhje për të siguruar rrugën e tyre drejt 16-shes më të mirë të turneut. Ndryshime të ngjashme të formatit do të zbatohen gjithashtu në UEFA Europa League (8 ndeshje në fazën e ligës) dhe UEFA Europa Conference League (6 ndeshje në fazën e ligës). Në varësi të diskutimeve dhe marrëveshjeve të mëtejshme, këto dy turne mund të zgjerohen me nga 36 skuadra pjesëmarrëse secila. Kualifikimi për në UEFA Champions League do të vazhdojë të jetë i hapur dhe i fituar përmes paraqitjes së një skuadre në garat vendase.
Një nga vendet shtesë do të shkojë për klubin e renditur në vendin e tretë në kampionatin e federatës që pozicionohet e pesta në renditjen e federatave anëtare të UEFA-s. Një tjetër do t’i jepet një kampioni vendas, duke shtuar nga katër në pesë numrin e klubeve që kualifikohen përmes të ashtuquajturës “Rrugës së Kampionëve” (Champions Path). Dy vendet e fundit do të shkojnë për klubet që kanë pasur koeficientin më të lartë në renditjen e klubeve përgjatë pesë viteve të fundit e që nuk janë kualifikuar në fazën e grupeve të Champions League, por janë kualifikuar ose në fazën kualifikuese të Champions League, Europa League ose Europa Conference League.
Të gjitha ndeshjet para finales do të luhen sërish në mesjavë, duke njohur rëndësinë e kalendarit vendas të futbollit në të gjithë Evropën.
Top Channel