Polici i Shqiponjave kthehet në hero! Shpëton tri jetë, 39-vjeçari tenton të shtypë me makinë gruan shtatzënë me bashkëshortin

19/04/2021 13:57
Pamje nga ndërhyrja e policit

Polici i Shqiponjave është kthyer në hero duke shpëtuar tri jetë, gjatë një sherri të ndodhur një ditë më parë në zonën e Yzberishtit.

29-vjeçari Shkëlzen Tafa nuk ndodhej në shërbim, por krejt rastësisht, sapo pa se në mes të rrugës, në zonën e Yzberishtit në Tiranë, po rrezikohej jeta e një çifti, burrit dhe gruas së tij shtatzënë, ka nxituar të ndërhyjë duke i nxjerrë armën për ta neutralizuar shoferin e një makine që po tentonte t’i merrte para duke i shtypur me makinë.

Është zbuluar se shoferi që tentoi t’i shtypte është Tualant Mekollari, një 39-vjeçar me precedent penal, në fushën e lojërave të fatit dhe lëndëve narkotike, i cili sapo kishte dalë nga burgu.

Gjithçka nisi për një parakalim automjetesh që lëvizinin pranë njëri-tjetrit në rrugën “Besim Alla” ditën e dielë.

Ndërsa Mekollari ndodhej në makinë bashkë me një grua, ende e paidentifikuar, sapo ka ndodhur parakalimi ka dalë duke qëlluar me grushte e duke kërcënuar shoferin në makinën tjetër, Glodmir Malaj. Të dy shoferët, që nuk njiheshin me njëri-tjetrin janë përfshirë në përleshje fizike.

Pasi asgjë nuk po sqarohej mes tyre, Mekollari ka dëmtuar më pas vetëm makinën e çiftit, duke  e goditur në pjesën e përparme.

Në këtë video është  momenti kur ndërhyn polici i Shqiponjave që ndodhej rastësisht në atë zonë. Ai nxjerr armën dhe i kërkon Mekollarit të dalë nga makina, derisa mbërrijnë edhe përforcimet që e arrestojnë.

39-vjeçari ishte arrestuar në 2008 në Skrapar për trafik të lëndëve narkotike dhe armë, ndërsa tashmë do të përballet me akuzën e “Vrasjes së mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Policia njofton se në gjendje të lirë po procedohet edhe Glodmir  Malaj për plagosje të lehtë me dashje për konfliktin me Mekollarin, ndërsa mësohet se edhe më herët ka qenë i dënuar për plagosje të rëndë.

Top Channel