Paralajmërimi i SHBA-së: Rusia do të përballet me ‘pasoja’ nëse Navalny vdes

19/04/2021 09:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Rusinë se do të ketë “pasoja” nëse aktivisti i opozitës, Alexei Navalny vdes në burg.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian gjithashtu kanë shprehur shqetësim për trajtimin e tij.
Mjekët e Navalnyt thonë se ai “do të vdesë brenda ditëve të ardhshme” nëse nuk i jepet kujdes urgjent mjekësor për dhimbje akute të shpinës dhe mpirje të këmbëve.
Ambasadori rus në Britani ka thënë se Navalny po kërkon vëmendje dhe “nuk do të lejohet të vdesë në burg”.

Një kritik i shquar i presidentit Vladimir Putin, Navalny, 44 vjeç, u burgos në shkurt për akuzat e vjetra të përvetësimit, të cilat ai pretendon se janë të motivuara politikisht.
Ai filloi një grevë urie në 31 mars dhe mjekët e tij thonë se rezultatet e fundit të testit të gjakut tregojnë se ai mund të pësojë dështim të veshkave dhe të shkojë në arrest kardiak në çdo moment.
Të dielën, një numër vendesh u bashkuan me protestën ndërkombëtare kundër trajtimit të Navalnyt brenda burgut rus në qytetin Pokrov, rreth 100 km, në lindje të Moskës.

Këshilltari i sigurimit kombëtar amerikan Jake Sullivan i tha CNN se do të kishte “pasoja nëse Navalny vdes” dhe Rusia do të “konsiderohet përgjegjëse nga bashkësia ndërkombëtare”, ndërsa presidenti Joe Biden tha se trajtimi i tij mjekësor ishte “krejtësisht i padrejtë dhe i papërshtatshëm”.
Shtetet e Bashkuara janë përfshirë tashmë në një mosmarrëveshje diplomatike me Rusinë rreth helmimit gati fatal të Navalnyt vitin e kaluar.

Kremlini mohon pretendimet e Navalnyt se Putin urdhëroi sulmin. Por zyrtarët e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se qeveria e Moskës ishte pas helmimit, duke bërë që administrata e Biden të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë.

Top Channel