Veliaj: Mirënjohës për patronazhistët tanë, politika nuk është kush ka makinën më të madhe, por kush ka idenë më të madhe

18/04/2021 12:18

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur krenar sot për të gjithë ata të rinj, që janë motori i fushatës së Partisë Socialiste derë më derë, e kudo nëpër Shqipëri.

Nga takimi me të rinjtë zhvilluar së bashku me Kryeministrin Edi Rama në sheshin e ri e modern të ndërtuar në Bulevardin Zogu I, drejtuesi i fushatës së socialistëve në Tiranë tha se energjia e tyre është fuqia e njerëzve të thjeshtë, që sot kontribuojnë për të ardhmen e të gjithëve ne.

“Ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë patronazhistët tanë, për të gjithë djemtë e vajzat që çdo ditë mundohen të kontaktojnë njerëz, të marrin informacion, të shpjegojnë programin, mundohen të thonë se përtej lodhjes, debateve e cinizmit, po ndodhin gjëra prej vërteti, si ky shesh ku jemi mbledhur, i cili më përpara ishte me ferra, si shkolla “Sami Frashëri”, që e degdisën në Paskuqan, por sot po ngrihet më e fortë se kurrë te Rruga e Barrikadave, si sheshi Skënderbej që ishte kartodromi më i madh i atyre që vdesin për makina, i atyre që e kanë kthyer fushatën në një garë kush e ka makinën më të madhe, kush e ka borinë më të fortë, kush nxjerr më shumë se gjysmën e trupit nga makina në autostradë, kush ka “Bentley”, “Range Rover apo “Hummer”,” u shpreh Veliaj.

Shembulli i ekspozimit të makinave të shtrenjta është shembulli që nuk duhet ndjekur, tha kryebashkiaku i Tiranës.

“Politika nuk është kush e ka makinën më të madhe, politika është kush ka idenë më të madhe. Politika nuk është kush ka borinë më të fortë, politika është kush ka zemrën më të fortë, që t’i çojë punët deri në fund, duke filluar nga vaksinimi, te rindërtimi e çdo punë tjetër. Politika nuk është kush del më shumë me barkun jashtë nga dritarja, politika është kush rregullon më shumë dyer, dritare, shtëpi e çati, për të gjithë ata që kanë nevojë. Sa fyese dhe dekurajuese duhet të jetë të flasësh për varfërinë, hipur mbi një “Range Rover” e duke kërcyer mbi makina! Të shkuarit derë më derë, të trokiturit, të pyeturit çfarë halli ke, si mund të jetë politika në shërbimin tënd, si mund ta bëjmë më mirë, ekzaktësisht këtë bëjnë çunat e gocat tanë. Jemi aty në çdo derë, në çdo kontakt, në çdo grup whatsapp-i, në çdo komunitet, në çdo fshat, në çdo klasë. Kjo është fuqia jonë e organizimit, kudo, kudo, ku ka një nevojë. Në ditët e vështira të pandemisë, kur njerëzit ishin mbyllur nëpër shtëpi, ku qindra dhe mijëra pensionistë gjyshër dhe gjyshe ngelën vetëm, fëmijët ishin jashtë, nuk vinin dot, kush çoi ushqime? Kush çoi ilaçe, kush çoi doktorin? E gjithë skuadra jonë, duke filluar nga Edi Rama te patronazhistët, te aktivistët, tek çunat dhe gocat,” deklaroi Veliaj.

Veliaj ka ironizuar edhe turin e Lulzim Bashës, i cili i quajti rekord 9 takime të zhvilluara në një ditë. “Pashë dje kundërshtarët tanë, ishin gëzuar që Luli në një ditë 20 orëshe kishte bërë 9 takime. Patronazhisti ynë më modest bën të paktën 19-20 takime në ditë. Ajo që për ne është rutinë, tako njerëz, lëviz, kontakto, bisedo, për ata është rekord,” u shpreh Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA