Rashica nuk mjafton, Dortmundi mposht Werderin me poker golash!

18/04/2021 22:35

Milot Rashica nuk i mjaftoi Werder Bremen-it për të evituar humbjen e 5-të radhazi në Bundesliga.

Sulmuesi i përfaqësues së Kosovës rigjeti golin duke i shënuar Borussias së Dortmundit brenda në Signal Iduna Park, por verdhezinjtë u rikthyen te suksesi në kampionat duke triumfuar me një poker golash ndaj Werderit dhe duke ringjallur shpresat për të kapur zonën Champions deri në fund të këtij sezoni.

Në Dortmund Rashica shënoi për të dytën javë rresht duke zhbllokuar shifrat pas 14 minutash lojë, por avantazhi i bardhëjeshilëve zgjati pak sepse në minutën e 29-të amerikani Reyna barazoi shifrat ndërkohë që në çerekorëshin e fundit të pjesës së parë Erling Haaland realizoi dy herë për Dortmundin duke i çuar shifrat në 3-1.

Me këto dy finalizime bomberi norvegjez e çoi në 23 numrin e golave sezonalë në Bundesliga por ende shumë larg Robert Lewandowskit që me 35 golat e tij po shkon drejt një tjetër Këpuce të Artë në Gjermani. Suksesin e Dortmundit e vulosi qëndërmbrojtësi Mats Hummels me golin e 4-1 në  minutën e 87-të. Me këtë sukses Borussia u ngjit në kuotën e 49 pikëve dhe 5 javë para fundit të Bundesligas numëron 4 pikë më pak se Frankfurti i vendit të 4-t. Ndeshja tjetër e kësaj të diele ajo mes Mainz dhe Hertha Berlin u shty për shkak se skuadra kryeqytetase është izoluar pasi shumë futbollistë të Herthas kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Top Channel