SHBA shton ushtarët në Gjermani/ Numri i trupave amerikane në Gjermani arrin në 35 mijë

17/04/2021 01:21

Ndalesën e parë në Europë, sekretari i ri amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin e bëri në Berlin, ku ndaloi madje përpara se të vizitonte NATO-n në Bruksel, thotë DW.

Ai sillte një lajm të shumëvlerësuar: Administrata Biden jo vetëm e përmbysi vendimin e Trumpit për të tërhequr një të tretën e ushtarëve, por përkundrazi, ka vendosur ta shtojë praninë ushtarake në këtë vend.

Austin njoftoi se Amerika do të stacionojë edhe 500 ushtarë të tjerë “në mënyrë të përhershme” në Gjermani. Stacionimi do të bëhet që këtë vjeshtë në zonën e Wiesbadenit. Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i trupave amerikane në Gjermani arrin në 35.000 vetë. Gjatë 50 viteve të fundit, amerikanët kanë bërë investime të mëdha ushtarake në Gjermani, kryesisht në landet federale jugore.

Në bazat ajrore të Spangdahlemit dhe në Ramstein, në Rheinland-Pfalz ata kanë kanë stacionuar madje një arsenal armësh bërthamore. Ndërsa janarin e 2020-tës, përpara vendimit tashmë të anuluar të Trumpit, sapo kishin nisur modernizimin e atyre bazave, me një investim prej gati gjysmë miliarde dollarësh.

Administrata Biden i përmbahet kërkesës që edhe Gjermania të investojë për mbrojtjen dy përqind të produktit të brendshëm bruto. Po edhe qeveria gjermane e ka këtë synim, e vetëm këtë vit buxhetor, siç thotë DW, Gjermania po investon për ushtrinë 2.5 miliardë euro më shumë nga sa ishin parashikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA