NATO: Bllokimi i lundrimit, pjesë e praktikave destabilizuese të Moskës

17/04/2021 06:42

NATO-ja e akuzon Rusinë se po acaron tensionet, duke i cilësuar si “veprim i pajustifikueshëm” planet e Moskës për të kufizuar kalimet përmes Ngushticës së Kerçit në Detin e Zi.

Në një deklaratë, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha se kufizimet duket se janë pjesë e një “tendence më të gjerë për destabilizim”.

“Militarizimi në Krime, Detin e Zi dhe Detin Azov që vazhdon nga ana e rusëve, përbën kërcënim të vazhdueshëm për pavarësinë e Ukrainës dhe minon stabilitetin në rajon,” tha zonja Lungescu. “I bëjmë thirrje Rusisë të garantojë qasje të papenguar në portet ukrainase në Detin Azov dhe të lejojë lundrim të lirë”.

NATO-ja, së bashku me SHBA dhe aleatë të tjerë perëndimorë, i kanë bërë thirrje Rusisë të zbusë tensionet në rajon, pasi Perëndimi ngriti shqetësime se Kremlini po dërgon përforcime e pajisje ushtarake shtesë në Krime.
Komandanti kryesor i forcave amerikane në Evropë, Gjenerali Tod Wolters, tha të enjten se ka “rrezik të ulët deri të mesëm” se Rusia do të ndërmarrë një lloj operacioni ushtarak ndaj Ukrainës në 1-2 javët e ardhshme.

Ministria e jashtme e Ukrainës shprehu shqetësim të enjten lidhur me përpjekjet e Moskës për të mbyllur qasjen në Detin e Zi përmes Ngushticës së Kerçit. Kievi i akuzon anijet ruse se po përpiqen të mos lejojnë kalimin e anijeve ukrainase në Detin Azov. Agjencia ruse e lajmeve RIA njiftoi të premten se Moska ka në plan të pezullojë kalimet në Detin e Zi të anijeve të huaja dhe “anijeve të tjera shtetërore” duke filluar nga java e ardhshme dhe se kufizimet do të mbeten në fuqi për afro gjashtë muaj.

Duke cituar një deklaratë të ministrisë ruse të mbrojtjes, RIA tha se kufizimet nuk prekin Ngushticën e Kerçit, një pikë kritike tranziti për tregtinë rajonale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA