Greqi, 67 viktima në një ditë/ Situatë alarmante në  fqinjin jugor me infektimet

17/04/2021 20:41

Për kulmin e valës së tretë flasin tashmë hapur autoritetet mjekësore në Greqi pas një jave që regjistroi shifra rekord sa i përket numrit të të intubuarve ,por edhe vdekjeve nga koronavirusi.

Vetëm brenda 5 ditëve të fundit humbën jetën rreth 500 vetë dhe numri i rasteve ditore ishte mbi 3000. Në 24 orët e fundit me 67  humbje jete ,numri i viktimave prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 9.397.

Rekord  i ri përsëri është shënuar tek të intubuarit, 837 dhe specialistët paralajmërojnë se në ditët e ardhshme mund të shkojë në 1000.

Si reparte në gjendje lufte përshkruhen urgjencat e spitaleve në Athinë e Selanik, ku tashmë dhomat e intubimit janë të gjitha plot, ndërsa  edhe shtrimet me simptomat e koronavirusit kanë qenë në këtë javë mbi 500 çdo ditë.

Deri të shtunën në mesditë numri i pacientëve të shtruar me simptomat e koronavirusit në spitalet e gjithë vendit ka shkuar në 5400, prej të cilëve 2500 në Athinë dhe 1440 në Greqinë e Veriut.

Specialistët e komisionit të pandemisë që shohin presionin e madh që përsëri rritet mbi sistemin publik spitalor paralajmërojnë se një lehtësim i masave për lëvizjen e njerëzve para Pashkëve sipas traditës, do të shtonte rrezikun e rritjes së rasteve të të prekurve dhe vendimi pritet të merret pas një javë.

Ndërkohë prej të  hënës do të hapen dyqanet me blerje elektronike edhe në zonën e Kozanit , me karantinën më të gjatë në Greqi. Gjithashtu në gjithë sektorin privat të vendit do të fillojë njëherë në javë  aplikimi I testeve falas që do të bëjnë vetë nëpunësit apo punëdhënësit për të kufizuar shpërndarjen e rasteve.

I vetmi lajm pozitiv i orëve të fundit është se ka të dhëna që barra epidemiologjike në Athine dhe Selanik po fillon të bjerë.

Top Channel