Zbulimi amerikan: Tërheqja nga Afganistani mund të përbëjë “rrezik të konsiderueshëm”

16/04/2021 07:08

Zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan thanë se plani për të tërhequr trupat nga Afganistani mund t’u japë grupeve terroriste si al-Kaida dhe Shtetit Islamik një mundësi për të rigjeneruar aftësitë që do t’u duheshin për të kryer një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara.

Paralajmërimi i tyre, i cili u bë në të njëjtën ditë që Presidenti Joe Biden njoftoi zyrtarisht vendimin për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në të cilën janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, ngre shqetësimet e rrënjosura thellë të shprehura nga shumë zyrtarë amerikanë dhe ish-zyrtarë, lidhur me tërheqjen e 2.500 deri në 3.500 trupa nga Afganistani, së bashku me mijëra vetë të personelit civil. Vendimi mundet gjithashtu të nxisë shqetësime të mëtejshme, me kritikët që i mëshojnë frikës se kushtet që lejuan Afganistanin të bëhet një strehë për terroristët mund të rikrijohen serish së shpejti, pavarësisht nga gati dy dekada luftë.

“Ekziston një rrezik i konsiderueshëm me tërheqjen e ushtrisë amerikane dhe ushtrisë së koalicionit”, u tha drejtori i ri i CIA-s, Bill Burns ligjvënësve të mërkurën. “Aftësia e qeverisë amerikane për të vepruar ndaj kërcënimeve do të zvogëlohet. Ky është thjesht një fakt”, tha ai, duke paralajmëruar se al-Kaida dhe ISIS-i në Afganistan, “synojnë të rikuperojnë aftësitë për të sulmuar objektivat amerikane, qoftë në rajon, në Perëndim apo në territorin amerikan”. Por zoti Burns shtoi se pavarësisht dëshirës që ka al-Kaida dhe ISIS-i për të sulmuar SHBA-në, “realiteti është se asnjë prej tyre nuk e diposponon sot atë kapacitet”. Zyrtarë të tjerë të lartë të zbulimit thanë gjithashtu se kërcënimi nga terrorizmi që nxiti fillimisht SHBA-në të shkojë në luftë në Afganistan nuk është më rreziku kryesor.

“Ka grupe terroriste të cilat përfaqësojnë kërcënime shumë më serioze”, tha zoti Burns. Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar Avril Haines u tha ligjvënësve se rreziku që paraqitet në Afganistan është eklipsuar gjithashtu nga kërcënimet që vijnë nga vende të tilla si Kina, të cilën ajo e quajti një “përparësi të pashembullt”, duke shtuar gjithashtu Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. Edhe ekstremistët vendas nga një “gamë e gjerë motivimesh ideologjike paraqesin një kërcënim të madh e të afërt”, tha zonja Haines. Ligjvënësi Marco Rubio, republikani kryesor në Komisionin e Zbulimit të Senatit, shprehu shqetësimin lidhur me tërheqjen e trupave.

“Ekziston një mundësi shumë reale që në një të ardhme shumë të afërt, fatkeqësisht dhe tragjikisht që Talibanët të rimarrin kontrollin mbi të gjitha pjesët thelbësore të Afganistanit”, tha ai. “Nëse ata e bëjnë këtë, mendoj se është pothuajse e sigurt që al-Kaida do të rikthehet”, shtoi zoti Rubio. “Askush nuk mund ta mohojë se do të ketë pasoja serioze mbi sigurinë e vendin tonë në vitet që vijnë”. Vlerësimet e fundit, si nga SHBA ashtu edhe nga vendet e tjera, tregojnë se dekada të tëra presioni antiterrorizëm e kanë dobësuar në mënyrë të konsiderueshme udhëheqjen e al-Kaidës dhe numrin e saj të përgjithshëm në Afganistan./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA