Një grup i arkitektëve egjiptianë fitoi konkursin për të rindërtuar Xhaminë e Madhe të Mosulit al-Nuri, katër vjet pas shkatërrimit të saj nga militantët e grupit Shteti Islamik.
Xhihadistët e hodhën në erë xhaminë e shekullit 12 në qershor të vitit 2017, kur forcat qeveritare nisën ofensivën për rikthimin e qytetit.
Tre vjet më herët, udhëheqësi i atëhershëm i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli “kalifatin” nga Xhamia al-Nuri.
Rindërtimi i saj është pjesë e projektit të Kombeve të Bashkuara “Ringjallja e Shpirtit të Mosulit”.
Tetë arkitektë egjiptianë u zgjodhën për rindërtim, në mesin e 123 konkurrentëve.
Rindërtimi i xhamisë “do të jetë një pikë referimi në procesin e avancimit të pajtimit në qytetin e shkatërruar nga lufta”, tha Audrey Azoulay, e cila kryeson agjencinë për kulturë të Kombeve të Bashkuara, UNESCO.
“Salla e faljeve do të duket siç ishte para shkatërrimit, por do të ketë edhe ndryshime të dukshme, përfshirë përdorimin e dritës natyrore dhe hapësirat e zgjeruara për gratë dhe personalitetet”, tha UNESCO përmes një deklarate.
Rindërtimi i xhamisë do të nisë këtë vit.
Beteja për kontrollin e Mosulit zgjati gati nëntë muaj, duke lënë pjesën më të madhe të qytetit nën rrënoja.
Mijëra civilë u vranë dhe më shumë se 900,000 u zhvendosën.
Top Channel