Irani “shuplakë” Amerikës, nis pasurimin e uraniumit

16/04/2021 16:54

Irani nisi pasurimin e uraniumit në shkallën më të lartë deri tani, 60 për qind pastërti, një zhvillim ky që vjen vetëm pak ditë pas shpërthimit që goditi centralin kryesor bërthamor në Natanz.

Kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, i cituar nga televizioni shtetëror, nuk dha hollësi për sasinë që Irani planifikon të pasurojë. Sidoqoftë, ka të ngjarë që kjo të rrisë tensionet teksa Republika Islamike po negocion me fuqitë botërore në Vjenë për të mënyrat që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshjen bërthamore dhe të heqin sanksionet ekonomike shkatërruese me të cilat përballet Teherani.

Njoftimi gjithashtu shënon një përshkallëzim pas sulmit që dëmtoi centrifugat, fundjavën që lamë pas, që dyshohet të jetë kryer nga Izraeli. Ndërsa Izraeli ende nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë, dyshohet gjerësisht se e ka kryer sabotimin ende të pashpjegueshëm në Natanz, vendi kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran. Televizioni shtetëror iranian citoi zotin Qalibaf të jetë thënë se “vullneti i kombit iranian është një mrekulli-bërës dhe do të ngadhënjejë mbi çdo komplot“.

Ky hap e sjell Iranin më pranë objektivit për uranium me 90 për qind pastërti, që përbën shkallën e synimeve ushtarake dhe ngushton hendekun deri në prodhimin e bombës bërthamore, megjithëse regjimi i ajatollahëve këmbëngul se nuk ka synime të tilla.

Top Channel