Zyrtarët më të lartë të shëndetësisë në Gjermani e pranojnë: nevojiten veprime urgjente për të frenuar valën e tretë të koronavirusit, pasi gjendja në vend paraqitet dramatike, e reflektuar qartazi kjo në spitalet e mbingarkuara dhe repartet e kujdesit intensive, ku numri i pacientëve po mbërrin nivele rekord.
‘Është e qartë se duhet të veprojmë tani, në këtë moment, në të gjitha nivelet por sidomos në ato të vendimmarrjes. Njerëzit duhet ta reduktojnë kontaktet, pasi duhet të ndërpresim sa më parë zinxhirët e infektimit që të shpëtojmë jetë’- tha Lothar Wieler’- presidenti i Insitutit Robert Koch.
Ministri i Shëndetesisë, Jens Spahn i kërkoi disa landeve kryesore t`i ashpërsojnë akoma edhe më shumë kufizimet e të mos presin frenën e emergjencës së qeverisë federale. “ Çdo ditë ka rëndësi në këtë situatë të vështirë. Vaksinimi dhe testimi, të vetme nuk mjaftojnë për të frenuar valën e tretë të pandemisë”, u shpreh ai. “ E mësuam vjeshtën e kaluar se çfarë ndodh nëse nuk veprojmë shpejt”, shtoi i shqetësuar Spahn.
Gjermania regjistroi të enjten 29.400 raste të reja nga Covid 19, shifra më e lartë ditore prej muajsh të tërë. Vdekjet ishin 293, ndërsa incidenca gjithashtu vazhdon të mbetet e lartë per më shumë se 7 ditë me radhë.
Top Channel