Vritet në aksident 19 –vjeçarja/ Plagoset edhe i fejuari, tre të rinjtë po shkonin në punë në Divjakë

15/04/2021 15:13

Për 19-vjeçaren Elsa Meçi, ky do të ishte udhëtimi i saj i fundit me të fejuarin Vilson Hoxha. Ajo mbeti viktimë e këtij aksidenti të rëndë që ndodhi në parkun kombëtar Divjak-Karavasta, këtë enjte.

Automjeti tip Audi, po drejtohej nga Vilsoni, ndërsa Elsa Meçi dhe Daniel Doda ishin pasagjer. Drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës duke dalë nga rruga, por fatkeqësisht është përplasur me një pishë siç shihet edhe nga pamjet. Goditja e fortë ishte fatale për 19 vjeçare, ndërsa Vilson Hoxha dhe Doda, u dërguan në spitalin e Lushnjes për të marrë ndihmë mjekësore, për shkak se mbetën të plagosur.

Sipas informacioneve të Top Channel, Elsa Meçi, punonte në një restorant në Divjakë, si ndihmës kuzhiniere. Ashtu si çdo ditë, në të njëjtin orar kur ndodhi aksidenti, ajo ndiqte të njëjtën rrugë për të shkuar në punë, por këtë herë pa mundur dot që të ndihmonte kolegët e saj në kuzhinë.

Hetimet paraprake të ekspertëve të policisë rrugore, tregojnë se shkak i këtij aksidenti tragjik, ka qenë shpejtësia e lartë me të cilin tre të rinjtë po udhëtonin. Vilson Hoxha, ka humbur kontrollin e automjetit duke u përplasur në pemë. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve pasi për disa minuta trupi i pajetë i Elsa Meçit, qëndroi i bllokuar në automjet.

Vilsoni ishte me origjinë nga Elbasani dhe kishte disa vite që ishte zhvendosur në Divjak. Prej dy vitesh ai ishte i fejuar me Elsa Meçin.

Top Channel