Vazhdojnë protestat anti-franceze në Pakistan, pas ribotimit të Profetit Muhamed/ Franca i kërkon shtetasve të saj të largohen urgjentisht

15/04/2021 14:18

Franca u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj në Pakistan të largohen nga vendi pas protestave të dhunshme anti-franceze.

Në një email të marrë nga agjencia franceze e lajmeve AFP, ambasada e vendit në Pakistan paralajmëroi për “kërcënime serioze ndaj interesave franceze në Pakistan“.

Dy oficerë policie vdiqën këtë javë në përplasje me protestuesit. Protestat u ndezën muaj më parë pasi një revistë franceze ribotoi karikaturat e Profetit Muhamed.

Qeveria e presidentit francez, Emmanuel Macron ka mbrojtur të drejtën e revistës për të botuar, duke zemëruar ekstremistët në Pakistan. Paraqitjet e Profetit Muhamed konsiderohen gjerësisht si tabu në Islam dhe konsiderohen tepër fyese nga shumë myslimanë.

Protestat u përshkallëzuan këtë javë pasi qeveria pakistaneze arrestoi Khadim Hussain Rizvi, udhëheqës i partisë politike, me parime konservatore, Tehreek-e-Labaik Pakistan (TLP), që ka kërkuar për dëbimin e ambasadorit francez.

Arrestimi i Rizvit dhe lëvizja nga autoritetet pakistaneze për të ndaluar TLP, sollën mijëra mbështetës të partisë në rrugët në Pakistan për të protestuar. Policia iu përgjigj protestuesve me plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë drejt turmës.

Sipas ligjit pakistanez ata që shpallen fajtorë për fyerjen e Profetit Muhamed mund të përballen me dënimin me vdekje, shkruan BBC.

Në emailin e dërguar të enjten, ambasada franceze në Pakistan tha: “Për shkak të kërcënimeve serioze ndaj interesave franceze në Pakistan, shtetasit francezë dhe kompanitë franceze këshillohen të largohen përkohësisht nga vendi. Nisjet do të kryhen nga linjat ajrore tregtare ekzistuese“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA