Turqia mohon: Luftanijet amerikane nuk kaluan në Detin e Zi

15/04/2021 12:54

Zyrtarët turq por edhe disa raporte në media pretendojnë se Shtetet e Bashkuara e kanë anuluar dërgimin e dy anijeve luftarake në Detin e Zi.

Më herët, burimet diplomatike turke pohuan se kalimi i anijes së parë përmes Ngushticës së Bosforit, ishte planifikuar të mërkurën, por kjo nuk ndodhi. Paralajmërimet për nisjen e luftanijeve amerikane erdhën pas rritjes së tensioneve mes Moskë dhe Kievit.

Ankaraja njoftoi javën e kaluar se kishte marrë informata që dy anije luftarake të SHBA “do të kalojnë ne Detin e Zi” dhe do të qëndronin në rajon deri në datën 4 maj. Nga Washingtoni zyrtar megjithatë, nuk pati asnjë konfirmim për një lëvizje të tillë, as për planifikimin e as për anulimin e saj. Thuhet se ambasada e SHBA-së në Ankara e kishte njoftuar ministrinë e jashtme të Turqisë për lëvizjen.

Zyrtarët amerikanë shprehen tani se Turqia mund ta ketë keqkuptuar njoftimin fillestar, pasi vendosja e anijeve në rajon nuk u konfirmua ndonjëherë. Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara shpesh e njoftojnë Turqinë për lëvizje të mundshme në Detin e Zi. Por, një kërkesë e tillë nuk do të thotë se anijet e saj duhet të kalojnë domosdoshmërish andej. Sipas Konventës së Montreux që daton nga viti 1936, Uashingtoni është i detyruar t’i tregojë 15 ditë përpara Ankarasë se do të dërgojë anije luftarake nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve.

Top Channel