Suveniret e Gjirokastrës/ Artizanët po përgatiten për të pritur turistët këtë sezon

15/04/2021 12:13

Viktor Nurçe gjatë sezonit turistik e kthen punishten e tij të gdhendjes së drurit në pazarin e Gjirokastrës në një klasë ku ndan me vizitorët dijenitë për profesionin.

Ai rrëfen për ta traditën e rrallë të qytetit në dekorin e tavaneve, portave, mobilieve, shkallëve, oxhakëve, ndërsa i udhëheq pjesëmarrësit në gdhendjen e suvenirit që do të marrin me vete nga Gjirokastra.

“Ju flas për traditën dhe motivet e Gjirokastrës. Ajo i ndihmon ata të krijojnë edhe një ide mbi atë që do gdhendin më pas.”

3 orë eksperiencë në gdhendjen e drurit pavarësisht aftësive dhe origjinës së pjesëmarrësve janë unike dhe ofrojnë shumë emocion, njohje dhe kënaqësi.

“ Është eksperienca ime e parë dhe pjesa më emocionuese ishte kur arrita ti jap formë gjetheve të lules.”

Interesi për eksperiencat u zbeh pak gjatë pandemisë pasi janë produkte që klientët shqiptarë ende hezitojnë që ti zgjedhin. Megjithatë Viktori insiston se përvoja që ndan me kalimtarët është një lloj edukimi me traditën dhe një mënyrë e re e të bërit turizëm.

“ Nuk kemi shumë vizitorë shqiptarë. Më shumë janë të huajt që e preferojnë. Ka nga ata që e programojnë që para se të vijnë motivin që do gdhendin dhe vijnë posaçërisht për këtë.”

Vetëm qendra e pazarit të Gjirokastrës ofron më shumë se 10 eksperienca për sezonin e 2021 ndërsa i gjithë qarku numëron një listë prej rreth 100 gjërash që mund të bëhen prej vizitorëve.

Top Channel