Sigurimi i pronës, rritet dyfish/ Tërmeti nxiti shqiptarët të paguajnë për të siguruar shtëpitë

15/04/2021 15:18

“Tërmeti i 26 nëntorit ka sensibilizuar qytetarët shqiptarë që të sigurojnë pronat e tyre. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëjnë me dije se gjatë dymujorit të parë të 2021 portofoli i sigurimeve ndaj Zjarrit dhe Forcave të Natyrës është dyfishuar.”

Në Shqipëri ligji nuk i detyron qytetarët që të sigurojnë pronat e tyre edhe pse kompanitë kanë bërë thirrje ndaj parlamentit që kjo të ndryshohet. Në këtë mënyrë kjo rritje vullnetare e të dhënave, që vazhdon prej vitit 2019, tregon se qytetarët shqiptarë kanë filluar të kenë frikën e pasurive të patundshme që lihen të pambrojtura.

Nga të dhënat që AMF tregon në raportin e saj për muajin janar dhe shkurt shihet qartë se sektori i sigurimeve që nuk janë jetësore, pra për pronat është rritur me 72.9%, ndërsa ato kundër Zjarrit dhe Forcave të Natyrës me 106.4%, duke mbajtur kështu edhe peshën më të madhe në rritjen totale të sigurimeve në krahasim me të njëjtën periudhë nga viti i kaluar.

Në Shqipëri, sigurimet mbeten ende një tabu dhe deri më tani ato për mjetet motorike janë të vetmet që paguhen në masë nga qytetarët siç tregojnë dhe të dhënat, ndërsa tërmeti dhe fatkeqësitë e tjera natyrore mbulojnë vetëm 25% të totalit.

Pas dy tërmeteve që goditën vendin në 2019-ën shumë qytetarë që ishin të siguruar morën dëmshpërblimet, falë edhe gatishmërisë së kompanive të sigurimit që nxorën në terren të gjithë inxhinierët dhe ekspertët e tyre për vlerësimin e dëmeve. Më shumë se 6 mijë raste u paguan për shkak të kontratave të lidhura të sigurimit.

Nëse qeveria nuk do të shpallte skemën e Rindërtimit shumica e qytetarëve  me prona të pasiguruara do të mbeteshin në mes të rrugës pa asnjë opsion tjetër, gjë e cila ndikoi në ndërgjegjësimin e tyre.

Top Channel