Rusia dhe Ukraina zhvillojnë stërvitje të njëkohshme ushtarake

15/04/2021 07:07

Rusia dhe Ukraina zhvilluan të mërkurën stërvitje të njëkohshme ushtarake ndërsa ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s filluan diskutimet emergjente mbi grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit ukrainas.

Uashingtoni dhe NATO-ja janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishulli që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Dy anije luftarake të SHBA pritet të mbërrijnë në Detin e Zi këtë javë.

Rusia, e cila tha se lëvizja detare e SHBA është një provokim jo miqësor dhe paralajmëroi Uashingtonin të qëndrojë larg Krimesë dhe bregdetit të saj të Detit të Zi, ka thënë se grumbullimi i trupave është një stërvitje ushtarake e shpejtë tre javore për të provuar gatishmërinë luftarake në përgjigje të asaj që ajo e quan sjellje kërcënuese nga ana e NATO-s. Ajo ka thënë që stërvitja do të përfundojë brenda dy javësh. Në prag të mbërritjes së anijeve luftarake të SHBA, marina ruse filloi të mërkurën një stërvitje në Detin e Zi, me manovra që përfshijnë qitje ndaj objektivave tokësore dhe ajrorë. Stërvitja vjen një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Moskës që t’i japë fund grumbullimit të trupave.

Në Ukrainë, forcat e armatosura provuan të zmbrapsnin një sulm tankesh dhe këmbësorie afër kufirit të Krimesë së aneksuar, ndërsa ministri i saj i mbrojtjes, Andrii Taran, u tha parlamentarëve evropianë në Bruksel se Rusia po përgatitet të depozitojë armë bërthamore në Krime. Taran nuk dha asnjë provë për pohimin e tij por tha se Rusia po grumbullon 110,000 trupa në kufirin me Ukrainës, në 56 grupe taktike me madhësi batalioni, duke cituar burimet e zbulimit.

Shtohen luftimet në Ukrainën lindore
Luftimet janë shtuar javët e fundit në Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt shtatë-vjeçar që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 njerëz. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili zhvilloi bisedime në Bruksel me zotin Stoltenberg përpara një video konference me të 30 aleatët e NATO-s, tha se aleanca “do të diskutonte mbi veprimet agresive të Rusisë në dhe rreth Ukrainës”, por pa dhënë hollësi.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara ranë në një pikë tjetër të ulët muajin e kaluar, kur Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai mendonte se Vladimir Putini ishte një “vrasës”. Në një telefonatë me Presidentin Putin të martën, Presidenti Biden propozoi të mbahej një samit midis dy udhëheqësve për të trajtuar një mori çështjesh, duke përfshirë uljen e tensioneve mbi Ukrainën.

Kremlini tha të mërkurën se ishte herët për të folur për një samit të tillë në terma konkretë dhe se mbajtja e një takimi të tillë do të varej nga sjellja e ardhshme e Uashingtonit, një referencë mesa duket për sanksionet që mund të vendosin SHBA ndaj Moskës. Rusia ka akuzuar rregullisht NATO për destabilizim të Evropës duke forcuar trupat e saj në vendet balltike dhe Poloni pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

NATO-ja e ka mohuar pretendimin e ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu se aleanca po vendos 40,000 trupa dhe 15,000 pajisje ushtarake pranë kufijve të Rusisë, kryesisht në Detin e Zi dhe rajonet balltike./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA