“Komandant Ujku”, pjesëtar i UÇK-së akuzohet për krime lufte, arrestohet në Belgjikë

15/04/2021 22:34

Pjetër Shala, i njohur si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “Komandant Ujku”, është arrestuar sot në Belgjikë, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Speciale e Hagës.

Gjatë kohës së luftës ai ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.

Në shkurt të vitit 2019, ai ishte intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.

Sipas njoftimit, Pjetёr Shala akuzohet për krime lufte të kryera kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999.

Njoftimi i plotë:

Viktimat mund të bëjnë kërkesë për pjesëmarrje në procedimin e çështjes së Prokurorit të Specializuar kundër Pjetёr Shalës Personat të cilët besojnë se kanë pësuar drejtpërsëdrejti dëm prej krimeve të përfshira në një aktakuzë të konfirmuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces gjyqësor. Me publikimin e aktakuzës së konfirmuar kundër Pjetёr Shalës për krime lufte që pretendohet të jenë kryer kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri) përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, tashmë është i çelur procesi i paraqitjes së kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedimin e kësaj çështjeje. “Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u jep viktimave të krimeve brenda juridiksionit të DHSK-së disa të drejta. Ligji u mundëson viktimave të marrin pjesë në procese dhe të dëgjohet zëri I tyre. Ky është një element shumë i rëndësishëm i proceseve gjyqësore,” deklaroi Kryetarja, Ekaterina Trendafilova. Viktimat pjesëmarrëse përfaqësohen në grup përmes një avokati, që gjithashtu quhet mbrojtës i viktimave. Mbrojtësi i viktimave i informon viktimat se çka ndodh gjatë gjykimit, dëgjon mendimet dhe brenga e tyre dhe ua përcjell këto mendime dhe brenga gjykatësve. “Kemi bërë përpjekje të shumta që të informojnë publikun në përgjithësi dhe viktimat e mundshme mbi mundësinë e pjesëmarrjes së viktimave dhe mënyrën e paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave tashmë është e gatshme të ndihmojë personat të cilët mund të demonstrojnë se kanë pësuar dëm si pasojë e krimeve që përmenden në aktakuzat e konfirmuara para Dhomave të Specializuara,” deklaroi Administratorja, Fidelma Donlon. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave do t’i trajtojë si konfidenciale të gjitha kërkesat për pjesëmarrje të viktimave dhe komunikimet me viktima që mund të marrin pjesë dhe personat që i ndihmojnë. Para nisjes së gjykimit, një panel vendos nëse parashtruesit e kërkesave për pjesëmarrje mund të marrin statusin e viktimës pjesëmarrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Viktimat pjesëmarrëse në proceset e DHSK-së gëzojnë disa të drejta, ndër të cilat të drejtën për njoftim, pranim dhe zhdëmtim. “Gjatë përpjekjeve për realizimin e drejtësisë, nuk duhet të harrohen viktimat e krimeve që përfshihen në aktakuzat e paraqitura nga zyra ime. Pjesëmarrja e viktimave në procese gjyqësore është një mënyrë për të mos lejuar që kjo të ndodhë,” deklaroi Prokurori i Specializuar Xhek Smith.

Top Channel