Gjykatë Speciale për konfiskimet/ Kritika për projektin e fundit të qeverisë së Albin Kurtit

15/04/2021 20:14

Qeveria Kurti ka miratuar koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në kundërshtim me opinionin e Bashkimit Evropian.

Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Top Channel që mban datën  12 maj të vitit 2020, gjatë konsultimeve të Qeverisë Kurti I me Bashkimin Evropian, këta të fundit kishin kërkuar që hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të bëhet nga sistemi ekzistues i drejtësisë, Sistemi Gjyqësor, dhe në asnjë mënyrë nga ndonjë organ tjetër jo gjyqësor.

Ndryshe nga opinioni i BE-së, Qeveria Kurti sipas koncept dokumentit të miratuar, pasurinë e pajustifikueshme pa aktgjykim dënues gjyqësor planifikon ta hetojë dhe konfiskojë përmes krijimit të një agjencie të ri jo prokuroriale.

 Ne fuqishëm mbështesim pikëpamjen se iniciatori, ‘paditësi’ dhe kontrolluesi i çështjes së rikuperimit civil duhet të jetë prokuror dhe jo ndonjë organ tjetër, jo gjyqësor, siç është Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), siç është propozuar në projekt Koncept Dokument. Ka disa arsye për këtë:

–          Që procedura të zbatohet në mënyrë të pavarur, të jetë objektive dhe e drejtë, duhet të sigurohemi që organet gjyqësore janë ato që kontrollojnë procesin dhe prokurori drejtpërdrejt bie në këtë kategori;

–          Prokurorët tashmë kanë një rol të spikatur në fushën e konfiskimit dhe ata tashmë kanë (ose pritet të kenë) të gjithë përvojën e nevojshme për të aplikuar një skemë tjetër konfiskimi;

                                                                        Komentet e hollësishme të Bashkimit Evropian

Në mbështetje të argumenteve është edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, drejtori i së cilit Ehat Miftaraj thotë se krijimi i kësaj agjencie është kundër Kushtetutës dhe ligjeve që janë në fuqi.

 Sipas Miftaraj këtë rol duhet ta luaj prokuroria dhe gjyqësia, por fillimisht ky sistem duhet t’i nënshtrohet procesit të Vettingut.

Top Channel