Zgjedhjet e 25 prillit/ ODIHR publikon raportin e ndërmjetëm: Ka pasur shqetësime për kohën e kufizuar të përgatitjes para ditës së zgjedhjeve

14/04/2021 16:50

Misioni i Vëzhguesve të ODIHR ka publikuar raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet e 25 Prillit.

ODIHR bën me dije se KQZ ka rregulluar aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor që tashmë janë në proces e sipër dhe ka përballuar një ngarkesë ndjeshëm më të madhe pune brenda një afati të shkurtër kohe.

Sa i përket shqetësimit për kohën e kufizuar të përgatitjes para ditës së zgjedhjeve, thotë se  pritet të nisë një program mbarëkombëtar i edukimit të zgjedhësve për adresimin e mundësisë së re të votimit preferencial, si dhe për sistemin e sapofutur në përdorim për regjistrimin elektronik të zgjedhësve.

Ndërsa për sistemin elektronik, thotë se “Shumica e bashkëbiseduesve të MKVZ-së së ODIHR-it kanë shprehur vlerësime për këtë sistem, të cilin ata e perceptojnë si një masë për minimizimin e rrezikut të votimit të dyfishtë apo të falsifikimit të identitetit të zgjedhësit. Deri më 15 mars, lista e zgjedhësve përbëhej nga rreth 3.5 milion zgjedhës, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.”

Raporti i plotë

Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në kuadrin e një marrëveshjeje politike të arritur në qershor të vitit 2020, e cila u pasua me reformën zgjedhore. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve shihet gjerësisht si një provë për progresin demokratik të Shqipërisë në bisedimet për aderimin e vendit në Bashkimin Evropian. Megjithëse zgjedhjet e ardhshme ofrojnë një gamë gjithëpërfshirëse kandidatësh, nga të cilët votuesit mund të zgjedhin kandidatin që preferojnë, këto zgjedhje po zhvillohen në një atmosferë paqëndrueshmërie politike dhe mosbesimi të thellë mes partive kryesore politike.

-140 anëtarët e Kuvendit zgjidhen për një mandat katër-vjeçar përmes një sistemi të përfaqësimit proporcional rajonal të modifikuar së fundmi, ku zgjedhësit mund të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar në të 12 qarqet nga listat shumë-emërore të kandidatëve. Për t’u kualifikuar për marrjen e një mandati në parlament, kandidatët në këto zgjedhje duhet të kalojnë pragun prej një përqind në shkallë vendi.

-Kuadri ligjor është ndryshuar ndjeshëm në vitin 2020, në vijim të një marrëveshje politike të mëparshme. Ajo çka është e rëndësishme është që këto ndryshime kanë prekur, ndër të tjera, edhe strukturën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë futur identifikimin elektronik të zgjedhësve në ditën e zgjedhjeve dhe kanë parashikuar edhe disa garanci rregullatore shtesë kundër shpërdorimit të burimeve publike. Ndryshimet kanë prekur, gjithashtu, edhe fushën e financimit publik dhe privat të fushatës, mbikëqyrjen e mbulimit mediatik të fushatës, si dhe mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Në tetor, Kodi Zgjedhor iu nënshtrua një rishikimi të mëtejshëm dhe u bë objekt kritikash për mungesën e konsultimeve dhe për miratimin e tij të nxituar.

-Tashmë po zhvillohen përgatitjet për zgjedhjet. KQZ-ja e sapoformuar ka rregulluar aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor që tashmë janë në proces e sipër dhe ka përballuar një ngarkesë ndjeshëm më të madhe pune brenda një afati të shkurtër kohe. Disa bashkëbisedues të Misionit të Kufizuar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MKVZ) të ODIHR-it kanë shprehur shqetësime për kohën e kufizuar të përgatitjes para ditës së zgjedhjeve. KQZ-ja ka ngritur 92 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të cilat do të duhet të ngrenë rreth 5,200 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV). Votimi dhe numërimi elektronik i votave do të pilotohen në një pjesë të qarkut të Tiranës. Pritet ende të nisë një program mbarëkombëtar i edukimit të zgjedhësve për adresimin e mundësisë së re të votimit preferencial, si dhe për sistemin e sapofutur në përdorim për regjistrimin elektronik të zgjedhësve.

-Për herë të parë, në të gjitha qendrat e votimit, do të futet një sistem elektronik i regjistrimit të votuesve në ditën e zgjedhjeve. Shumica e bashkëbiseduesve të MKVZ-së së ODIHR-it kanë shprehur vlerësime për këtë sistem, të cilin ata e perceptojnë si një masë për minimizimin e rrezikut të votimit të dyfishtë apo të falsifikimit të identitetit të zgjedhësit. Deri më 15 mars, lista e zgjedhësve përbëhej nga rreth 3.5 milion zgjedhës, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.

Në këto zgjedhje mund të garojnë kandidatë të emëruar nga parti politike, koalicione partish ose kandidatë të pavarur që emërohen nga grupe zgjedhësish. Krerët e partive mund të garojnë në deri katër qarqe, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë mund të garojnë vetëm në një qark. KQZ-ja ka regjistruar gjithsej dymbëdhjetë lista garuese në të gjithë vendin dhe pesë kandidatë të pavarur që garojnë në pesë qarqe.

-Dy partitë e mëdha e nisën fushatën më 25 mars. Fushata u hap në kushtet e kufizimeve të vendosura si rrjedhojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, të cilat përfshijnë edhe kufizimin e grumbullimeve dhe ruajtjen e distancës personale. Partitë kryesore synojnë ta organizojnë fushatën përmes kontakteve derë-më-derë, si përmes qasjes tradicionale, ashtu edhe asaj të mediave sociale. Në fillimet e saj, kjo fushatë u karakterizua nga një ton jo i moderuar dhe nga akuza për korrupsion dhe për lidhje me krimin e organizuar. KQZ-ja u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve zgjedhore të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë qetësinë dhe të mos përdorin gjuhë të ashpër gjatë fushatës.

-Mjedisi mediatik në Shqipëri është i larmishëm dhe me një numër të madh organesh mediatike, por perceptohet gjerësisht si i rreshtuar politikisht. Ka rregulla të hollësishme për mbulimin mediatik të fushatës që parashikojnë kohë televizive falas në Radio Televizionin Publik dhe reklama politike me pagesë në mediat private për të gjitha subjektet zgjedhore. Legjislacioni ende e lejon përdorimin e përmbajtjeve mediatike të prodhuara nga vetë partitë në programet e lajmeve, me kushtin që ato të identifikohen qartësisht si të tilla.

-Sa i përket financimit të fushatës, ligji përcakton disa limite për dhurimet dhe shpenzimet. KQZ-ja mbikëqyr respektimin e rregullave për financimin e fushatës dhe është e autorizuar të vendosë sanksione. Përveç kësaj, KQZ-ja është gjithashtu e autorizuar të monitorojë të gjitha aktivitetet e kryera nga institucionet publike për të parë nëse ka shpërdorim të burimeve publike. Ligji nuk parashikon ndonjë detyrim për bërjen publike të burimit dhe shumës së fondeve të mbledhura. Përveç kësaj, partive politike as nuk u kërkohet të bëjnë raportime të ndërmjetme gjatë fushatës. Ligji gjithashtu parashikon fonde publike për partitë, por jo për kandidatët e pavarur.

-Sipas ligjit, vetëm partitë politike dhe kandidatët e pavarur, të cilëve u janë prekur të drejtat, kanë të drejtë të paraqesin ankesa kundër organeve të administrimit të zgjedhjeve. Deri më 5 prill, në KQZ janë paraqitur dhjetë ankesa që kanë të bëjnë kryesisht me regjistrimin e kandidatëve, shpërdorimin e burimeve të administratës publike dhe me konfigurimin e fletës së votimit. Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ka gjykuar tre ankimime ndaj vendimeve të KQZ-së, nga të cilat dy i përkisnin regjistrimit të kandidatëve, kurse tjetri konfigurimit të fletës së votimit.

-Ligji parashikon vëzhgimin e zgjedhjeve nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Në vëzhgimin e zgjedhjeve mund të marrin gjithashtu pjesë përfaqësuesit e partive dhe të kandidatëve të pavarur. Deri më 3 prill, KQZ-ja ka regjistruar tetë grupe vëzhguesish vendorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA