Sot Kupa e Shqipërisë/ Do të përcaktohen skuadrat finaliste

14/04/2021 15:30

Sot pasdite do të luhen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, këtë vit ndeshjet nuk do të luhen me sistem vajtje ardhje, që do të thotë se sot do të përcaktohen skuadrat që do të diskutojnë trofeun e kompeticionit të dytë të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

Sfida më interesante në plan të parë është ajo që do të luhet në Loro Boriçi të Shkodrës mesVllaznisë dhe Lacit, dy skuadra që u përballën mes tyre edhe  në fundjavën e kaluar në kampionat. Është një ndeshje e ekuilibruar mes 2 skuadrave që janë në garë edhe për titullin kampion në kategorinë Superiore, kështu që pritet një rivalitet i fortë në fushën e lojës një një sfidë që mund të zgjasë 120 minuta e mund të shkojë deri te lotaria e 11 metërshave.

Ndërsa ndeshja tjetër gjysmëfinale  e Kupës së Shqipërisë është ajo mes Teutës dhe Skënderbeut, dy skuadra me objektiva të kundërt në këtë sezon. Teuta ka marrë kryesimin në kampionat dhe po shfaqet në një formë shumë të mirë, ndërkohë që te Skënderbeu, Kupa e Shqipërisë merr një rëndësi të veçantë, edhe pse objektivi i korçarëve të Migen Memellit është qëndrimi në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar.

Të dyja ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të transmetohen ekskluzivisht në platformën Digitalb.

Top Channel