“Policët u sulmuan pas kontrollit”/ Mamurras, arrestohet një polic dhe tre anëtarë të familjes Fufi

14/04/2021 08:34

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë në Mamurras, ku mbeten të plagosur dy policë dhe një qytetar.

Konflikti ka nisur pas një kontrolli që disa efektivë policie të këtij qyteti kanë ushtruar kontroll në një lokal për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Punonjësi i policisë David Madani, ka hasur në kundërshtimin e Nikoll Fufit. Ky i fundit është shoqëruar në polici dhe pas deklarimit është lënë i lirë.

Por disa orë më pas në mesditë, pasi punonjësit e policisë David Madani, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja kanë ndërruar turnin, janë përplasur përsëri me Nikoll Fufin dhe dy vëllezërit Rudolf dhe Gjon Fufi. Këta tre persona u janë afruar me mjetin e tyre Porsche Cayen.

Ata kanë dalë duke qëlluar me shkop bejsbolli efektivin David Magani. Ky i fundit ka nxjerrë armën e tij të shërbimit dhe ka qëlluar në ajër për t’i paralajmëruar, por për shkak të goditjeve të forta që vazhdonin ndaj tij, ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar duke plagosur dy kolegët e tij, Zeken dhe Llejën, si dhe Nikoll Vorfin.

Në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja që u qëlluan nga Madani, ndërsa nga hetimet rezulton se një plumb ka bërë rikoshet çka shkaktoi dy plagosjet. Tre të plagosurit u dërguan menjëherë pas ngjarjes në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Nikoll, Rudolf dhe Gjon Fufi, u arrestuan për veprat penale të goditjes për shkak të detyrës dhe kanosja për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim, ndërsa 45-vjeçari David Madani, u vu në pranga për veprat e plagosjes së rëndë e kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe plagosja e rëndë nga pakujdesia.

 

Top Channel