Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe ministri i Mbrojtjes morën pjesë në një takim pune të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe atyre të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, me Sekretarin e Shtetit dhe Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-ve, ku në fokus ishin zhvillimet e kohëve të fundit në Afganistan dhe vijimësia e misionit të NATO-s “Resolute Support”.
Ministrja Xhaçka vlerësoi vendimin e administratës aktuale të SHBA, për të mos u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Afganistani, por duke e bërë këtë në konsultim të plotë me vendet e NATO-s.
“Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e propozuar nga miqtë amerikanë dhe është e gatshme të tërheqë të gjithë trupat e saj nga Afganistani, në përputhje me afatin kohor të vendosur nga NATO. Në këtë botë të mbushur plot kërcënime, ne nuk mund të përballemi dot vetëm dhe besoj se nga ky moment, Aleanca, do të dalë më e fortë dhe më e bashkuar, me më shumë synime, energji dhe ide, për të garantuar sigurinë tonë kolektive”, u shpreh ajo.
Kryediplomatja Xhaçka tha se ky proces politik i negociatave të paqes në Afganistan të prodhojë një zgjidhje të negociuar, e cila të sjellë paqe të qëndrueshme dhe respektim të plotë të të drejtave të njeriut për popullin e Afganistanit.
Top Channel