Gjermania sulmon Rusinë: Nuk na hedh dot hi syve!

14/04/2021 17:55

Gjermania akuzoi ashpër Rusinë se me grumbullimin e trupave në kufirin ukrainas dhe në gadishullin e Krimesë, po kërkon të provokojë.

Bindja ime është se pala ruse është po bën gjithçka që mundet për të nxitur një reagim”, tha  ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer për televizionin publik ARD. “Bashkë me Ukrainën, ne nuk do të hyjmë në këtë lojë”, u shpreh ajo dhe shtoi se është e qartë se Rusia “është duke pritur ndonjë lëvizje nga NATO për të pasur një pretekst që të hidhet në veprim”.

Disa fotografi, incizime dhe të dhëna tjera sugjerojnë se ka lëvizje të mëdha të njësive ushtarake ruse drejt apo afër kufirit me Ukrainën dhe Krimenë e aneksuar nga Moska në vitin 2014, gjë që ka rritur shqetësimet se Rusia po përgatitet të dërgojë trupa në Ukrainë. Kievi dhe  Perëndimi po ashtu fajësojnë separatistët e përkrahur nga Rusia, që kontrollojnë  rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, për përshkallëzimin e fundit të situatës.

Moska vetë e drejton gishtin e fajit nga Ukraina. Kramp-Karrenbauer tha se nëse “kjo është manovër, siç pretendon pala ruse, ekzistojnë procedura ndërkombëtare përmes së cilave një palë mund të krijojë transparencë dhe besim”.

Top Channel