“Është dekurajuese të shohësh presidentin e pirë dhe të dhunshëm”, Veliaj komenton reagimet e Metës

13/04/2021 15:12

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i ftuar në “Breaking” në Top News, ku teksa komentoi fushatën e Partisë Socialiste në kryeqytet, u pyet edhe në lidhe me reagimet e ndryshme të presidentit Ilir Meta.

“Ju zoti Veliaj përmendni shpesh punët e pakryera të Lulzim Bashës si kryetar bashkie apo keni pasur komente për reagimet e ndryshme të presidentit Ilir Meta gjatë kësaj periudhe fushate, pavarësisht se ai nuk kandidon dhe ka rolin e presidentit, ai është duke u bërë pjesë e fushatës. A do të kishit një koment në lidhje me fjalët e ditëve të fundit të presidentit Meta?”, ishte pyetja që moderatorja e njohur, Sidorela Gjoni i drejtoi kryebashkiakut të Tiranës.

Sipas Veliaj, Meta e ka humbur shansin historik. Ai u shpreh se është dekurajuese të shohësh presidentin e pirë dhe të dhunshëm.

Fjala e plotë e Erion Veliajt:

Nëse unë, ose ju apo kushdo nga 3 milionë banorët e Shqipërisë u jepet mundësia që të jetë president i vendit , do të thotë që i është bërë nder i madh, i është dhënë privilegji më i madh, i është dhënë gjithashtu edhe përgjegjësia më e madhe.

Përgjegjësia më e madhe është të bashkojë vendin, jo ta përçajë. Jo për t’u bërë tifoz i një partie, jo për të ushtruar dhunë, jo për t’ju sulur qytetarëve siç mund të jetë një roje dezhurni apo bllokimi i Rinasit. Qartazi e abuzoi mundësinë për të qenë bashkues dhe përfaqësues i gjithë kombit. Është bërë më shumë një përmbarues i interesave të partive të vogla. Është dekurajuese të shikosh presidentin e pirë, presidentin e dhunshëm.

Te presidenti i Republikës fëmijët duhet të shohin dikë që ta admirojnë, të bëhet si ai kur të rritet. Unë dyshoj se ka prindër sot, edhe ata që mund të kenë votuar LSI-në, që u thonë fëmijëve të tyre që kur të rritesh të bëhesh si ky xhaxhi që rreh të moshuarit dhe që pi që në 7 të mëngjesit.

Është mëkat, një shans i humbur i tij personalisht, por edhe një shans i humbur për Shqipërinë për të parë më në fund një president normal.

Sapo lamë një president që protestonte këndin e lodrave dhe deputetë me pistoleta që ziheshin për kolovajtëse. Menduam që aty kishin prekur fundin, por mesa duket presidenca qenka mallkim. Ata që përfundojnë aty, të paktën në këto kohë, kanë një aftësi degraduese marramendëse. Është te faza ku më dhimbset dhe besoj se Edi Rama është pengesa e fundit për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Arsyeja pse nuk duan Edi Ramën, është se e dinë se është i vetmi tra që bllokon dhe kufizon dhe përmban çmendurinë e tyre që 30 vite Shqipëria ju dha privilegjin dhe përgjegjësinë dhe që e abuzuan sa herë që kishin mundësinë për të qenë kryeministër apo president.

Përveçse keqardhjes do të duhet që drejtësia të mendojë seriozisht për këta personazhe pas datës 25./Shqip/

Top Channel