Bledi Çuçi, në një takim elektoral, në Libohovë

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi shprehet se nga 4 mandate në Gjirokastër, Gjirokastra synon të fitojë 3 të tilla.

Ne do të fitojmë edhe një betejë tjetër. Do të sfidojmë numrat e qarkut. Nga 4 deputetët që ka qarku Gjirokastër, do të marrim 3. Kjo do të jetë një fitore historike e Partisë Socialiste”, tha drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Libohovë.

Sipas tij vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama mund të çojnë përpara Shqipërinë e së ardhmes. “Investimet padiskutim që në Libohovë janë të dukshme. Këtu ku jemi tani nuk do të kishim mundur të bënim dot një takim të tillë nëse nuk do të ishte bërë investimi në kuadër të programit të rilindjes urbane. Në 2013 e kemi gjetur Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë gati në rrënim. Gjirokastra rrezikonte të dilte nga UNESCO. Ne jemi krenarë që vijmë dhe flasim prapë me ju, që prezantojmë çfarë kemi bërë, por me energji të reja, për t’ju thënë se kemi ende projekte për të finalizuar”.

Çuçi tha se PS-ja ka vendosur një standard të ri në Shqipëri, sepse thonë çfarë do bëjmë dhe kemi bërë çfarë është thënë. “Unë jam i sigurt që askush nuk ka dilemë se kush është partia dhe lideri që duhet të vazhdojë ta udhëheqë Shqipërinë, por nuk duhet të humbim asnjë votë. Dhe kjo jo sepse kemi frikë që nuk jemi partia e parë dhe nuk bëjmë dot qeverinë. Të mos humbasim asnjë votë, qoftë për neglizhencë apo për inate personale, sepse duhet që të marrim një mazhorancë absolute që ta bëjmë qeverinë të vetëm, pa pasur nevojë për koalicione me parti apo individë që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngadalësojnë shpejtësinë e qeverisjes”.

Top Channel