Basha uron Ramazanin: Një muaj sakrifice në një kohë sprove, plani ynë bën që ekonomia të nisë të lëvizë përsëri

13/04/2021 14:45

Kryedemokrati Basha, nëpërmjet një videoje ‘live’ në “Facebook” ka uruar besimtarë mysliman Ramazanin, duke kërkuar votën e ndjekësve në këtë muaj sakfrifice.

Ky është një muaj kur besimtarët i kthehen sakrificës së tyre njerëzore, shpresës dhe besimit të tyre në një të nesërme më të mirë, përmes virtyteve më të mira njerëzore, përmes sinqeritetit, solidaritetit, faljeve dhe lutjeve për një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë, për kombin. Kjo sakrificë kam bindjen se do të shërbejë që në fund të këtij muaji të bekuar, Shqipëria të përjetojë e gjitha një çlirim shpirtëror dhe një ecje drejt më të mirës në çdo kuptim, në veçanti sa i përket vuajtjeve, sa i përket situatës të vështirë”.

Basha lidh simbolikën e argjërimit me “nevojën e vendit për ndryshim”. “E di pra që ky muaj është një muaj sprove i dyfishtë për vetë gjendjen ku ndodhet vendi dhe natyrisht të sprovës që sjell sakrifica dhe simbolika e muaj të bekuar të ramazanit. Por ju e dini që ne kemi një plan konkret, i cili do të zbatohet dhe do të bëjë të mundur që ekonomia shqiptare njësoj si ekonomia e vendeve tjetra të  rajonit të filloi të lëvizë përsëri, ta marrë veten, jo vetëm nga goditjet të njëpasnjëshme të keq menaxhuara të tërmetit dhe të pandemisë, por mbi të gjitha nga keqmenaxhimi 8-vjeçar”.

Basha premton uljen e taksave dhe flet për taksën e sheshtë. “Ulja e çmimit të naftës me 24 leke për litër, pra eliminimi i taksës Rama mbi karburantin, taksa e sheshtë 9% për tatim fitimin por edhe tatimin për të ardhurat personale për gjithë ata mbi rrogën minimale. Ulja e çmimit të energjisë për familjet dhe për aktivitetin prodhues dhe eksportues, rritja e pagave, rritja e pensioneve.

Sipërmarrja e vogël, biznesi prodhues, fermeri shqiptar, të gjithë do ta gjejnë veten te paketa jonë fiskale, që është vetëm hapi i parë drejt rritjes ekonomike“.

Basha thotë se votuesit kanë të dorë të ardhmen e tyre. “Vetëm ju keni mundësinë të ndryshoni Shqipërinë dhe fatin e saj. Vetëm ju keni mundësinë që fëmijëve tuaj mos t’ju vidhen edhe 4 vite të tjera. Ndaj ju ftoj që gjithë optimizmin, me të cilin keni përcjellë këtë fushatë nga Jugu në Veri ku ju takoj, ta shndërroni në një votë masive, qytetare, europiane, popullore për ndryshim më datën 25 prill duke votuar numrin 9”.

Top Channel