Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Erion Veliaj, gjatë një takimi në Vlorë nënvizoi se Shqipërisë i duhen njerëz që kontribuojnë për ta dhe jo njerëz që i fshihen të shkuarës e që e dëmtojnë vendin.
“Mjafton të shikoni mitingjet e Lul Bashës, mitingje ku vetëm përhapet Covid-i. Duhet të kishte filluar vaksinimi për ata 65 vjeç e sipër dhe u vonua kjo javë sepse u vonua dërgesa nga protesta në Rinas. Sa herë që PD ka pasur shansin të zgjedhë mes nesh dhe virusit, mes nesh dhe tërmetit, mes nesh dhe sabotimit, këta kanë zgjedhur gjithmonë armiqtë e Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.
Për Bashën, ai tha se këshilltarët i kanë thënë që të mos flasë për 4 vitet që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës dhe të mos e përmendë në asnjë moment Sali Berishën.
“E keni parë që nuk del më në evente me Saliun edhe me Monikën, se i kanë thënë këta këshilltarët t’i gënjejmë njerëzit edhe nja dy javë, që të harrojnë që ti je kukulla, manekini i Saliut edhe i Ilirit. Ai nuk merr asnjë vendim vetë, i thotë Ilir Meta shko te zyrat e FRD-së dhe ky shkon. E këshillojnë të mos e përmendë kurrë Saliun – e keni parë e kanë hequr Saliun nga të gjithë televizionet. Luli thotë e kam LSI aleate, por nuk del kurrë në publik me Monën, madje nuk i ftoi as te hapja e fushatës. Për çfarë na duhet ne kjo bandë dhe kjo çetë rrëmujaxhinjsh, njerëzish të paaftë, gjumashësh dhe shkatërrues”, tha Veliaj.
“Ata kanë kandiduar njerëz që vetë partia e tyre i ka nxjerrë jashtë”, vijoi Veliaj. “Doktor Flamur Noka dhe doktor Sali Berisha, në krizën më të madhe mjekësore, më të madhe të pandemisë, më të madhe të sëmundjes në 100 vitet e fundit, nuk veshën bluzën e bardhë një ditë, për të ndihmuar, për të kuruar”.
Top Channel