Sot hyjnë në fuqi masat e reja! Qarkullimi dhe aktiviteti i bareve deri në orën 22:00, nisin fluturimet me Britaninë e Madhe

12/04/2021 08:25

Nisur nga situata epidemiologjike dhe ecuria e procesit të vaksinimit antiCOVID, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve bërën të ditur ditën e djeshme vendimet e fundit, të lehtësimit të disa masave në vend, që fillojnë nga sot, datë 12 prill.

Nga dita e sotme deri në dy javët e ardhshme do të kemi lehtësim të masave antiCovid, ku ora policore është shtyrë më 2 orë. Qarkullimi i njerëzve dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të vijojë deri në orën 22:00 ndërsa ndalim qarkullimi do të jetë në fuqi nga ora 22:00-06:00.

Gjithashtu një tjetër masë është edhe hapja e fluturimeve me Britaninë e Madhe.

Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave antiCOVID.

Kujtojmë se, ditën e sotme, në vijim të procesit të vaksinimit masiv do të vijojë vaksinimi i moshave mbi 60 vjeç. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 256,848 vaksinime. Sot pritet të vijnë edh 7020 doza të vaksinës Pfizer, siç lajmëroi më herët ministrja Manastirliu.

Në 24 orët e fundit u regjistruan 238 raste të reja dhe 7 humbje jete. Në 24 orët e fundit janë shëruar 517 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 97,723 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 221 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA