Tirana konsiderohet si një ndër zonat më të nxehta, e cila mund të përcaktojë rezultatin e 25 prillit, ndaj, kur na ndajnë 13 ditë nga zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha po kërkon votën derë me derë nëpër kryeqytet.
Oferta kryesore e kryedemokratit me gratë e njësisë administrative në Dajt ishte rritja e pagës minimale në 400 euro.
“Pagat do të rriten sepse me masat tona ne do të do të mundësojmë pikërisht që ato qindra miliona euro, miliarda euro që shteti sot ua merr punëdhënësve si taksa, ju a merr dhe ju dhe nuk i kthen kurrë tek ju, por i përvetëson. Ato ne ti kthejmë në taksa të ulëta, ti kthejmë çmimet e ulët të energjisë dhe të naftës të cilat në vetvete do të sjellin punësim dhe pastaj përmes përfitimeve të ekonomisë dhe të sipërmarrjes do të rrisim edhe pagat në nivelin për të cilin jemi zotuar dhe niveli për të cilin jemi zotuar është që në Shqipëri nuk do të ketë pagë minimale poshtë 300 euro, në muaj dhe në fund të katër vjeçarit tonë, 400 euro në muaj paga minimale për të gjithë”, tha Basha.
Në njësinë numër 12 Basha u takua me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit , për të cilët premtoi lehtësira. “Qeveria nesër nuk do t’ju konsiderojë si lope për t’ju mjelë por do të jetë në krahun tuaj…”
Më herët kryedemokrati ishte në Elbasan, ku shpalosi programin ekonomik të PD-së me gratë sipërmarrëse, të cilave iu premtoi se do kenë një qeveri që i mbështet.
Top Channel