30 mijë pushues në Shqipëri/ Debate në Kosovë për masat kufizuese ndaj covid

12/04/2021 19:43

Mijëra biznese u mbyllën në Kosovë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid 19, por hapja e kufijve me rajonin pa test PCR dhe karantinim, bëri që mbi 30 mijë qytetarë të marrin rrugën vetëm drejt Shqipërisë gjatë fundjavës.

Në këtë numër të lartë hyjnë edhe ministra e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët shkuan të bëjnë fushatë me kandidatët e kësaj partie për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

Këto veprime po shihen mjaftë shqetësuese nga njohësit e sektorit të shëndetësisë, të cilët po i vlerësojnë këto veprime ulin gatishmërinë e qytetarëve për t’i zbatuar masat.

Derisa paratë e qytetarëve po shpenzohen në rajon, sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare po vazhdojnë të jenë të mbyllura ndërsa pjesa tjetër e bizneseve po punojnë me gjysmën e kapaciteteve.

Si rrjedhojë po kërkohet rishikim i masave.

Që nga muaji mars spitalet në vend janë mbingarkuar nga numri i lartë i pacientëve.

Në spitalet e përgjithshme dhe klinika janë duke u trajtuar rreth 900 pacientë, prej tyre 37 në gjendje kritike në repartin e kujdesit intensiv dhe 700 me oksigjeno terapi të vazhdueshme.

Top Channel