Vullkani i Shën-Vincentit/ Ishulli zgjohet në hi dhe aromë sulfuri

11/04/2021 00:47

Banorët e ishullit në Karaibe, Shën Vincent, janë zgjuar nën një re ekstremisht të rëndë hiri dhe një aromë sulfuri pas shpërthimit të së premtes të vullkanit La Soufriere.

Zyrtarët e menaxhimit të emergjencave thanë se emetimet e vullkanit kishin arritur deri në kryeqytetin e vendit, Kingstown. Dëshmitarët thanë se vullkani vazhdonte të nxirrte llavë dhe tym ndërkohë që reja e hirit ishte ngritur në mijëra metra lart në ajër.

La Soufrière, i përgjumur për dekada të tëra, nisi të bëhej aktiv në dhjetor. Mijëra njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe kryeministri i vendit i kërkoi mbi 16 mijë banorëve në zonën e rrezikut të largoheshin. Hiri ka mbërritur edhe aeroportin ndërkombëtar rreth 20 km larg vullkanit.

Zyrtarët tani kanë paralajmëruar për kujdes të gjithë personat që kanë problem me frymëmarrjen. Vullkani ka qenë i heshtur që nga 1979, por në fund të 2020-ës nisi të nxirrte llavë dhe tym si edhe të lëshonte zhurma shqetësuese.

Shenja e parë që një shpërthim ishte i pritshëm erdhi mbrëmjen e të enjtes kur një rrjedhë llave u bë e dukshme. Më pas, erdhi edhe shpërthimi. Të evakuarit janë lëvizur me anije kroçera dhe janë dërguar në pjesë më të sigurta të ishullit.

Top Channel