Vetëm 15 sekonda iu deshën Partizanit në Air Albania stadium për të vendosur sfidën me Bylisin në drejtimin e dëshiruar në ndeshjen që mbylli javën e 27 të Kategorisë Superiore.
Skuadra e Të Kuqve bëri dëtyrën e saj teksa e fitoi me lehtësi 3-0 dhe tani e sheh veten në vendin e tretë me 47 pikë, po aq sa edhe Vllaznia në vendin e dytë. Junior ishte ai që në sekondën e 15 ndëshkoi Bylisin duke përfituar nga një gafë e portierit Qirko shënoi golin më të shpejtë të këtij sezoni në Kategorinë Superiore.
Pas këtij momenti gjithçka u bë shumë e lehtë për të besuarit e Ilir Dajës që dominuan totalisht ndeshjen teksa shpërdoruan edhe shumë raste të tjera për të shënuar golin e dytë, një gol të cilin më në fund arritën ta gjejnë në minutën e 69 me Asanin.
Ishte një ndeshje që po zhvillohej në sens unik me partizanin që e kishte kthyer në tabelë qitjeje portën e Bylisit teksa kërkoi tqa kthejë në një goleadë të vërtetë këtë përballje ku në shumë raste protagonist ishte Cinari.
Ky i fundit në minutën e 84 vendosi të mos i shpërdorojë më mundësitë në dispozicion dhe shënoi edhe golin e tretë për Partizanin për të fiksuar fitoren 3-0 të Kryeqytetasve që tashmë e shohin veten në një formë shumë të mirë dhe pretendentë për të fituar titullin kampion në Kategorinë Superiore
Top Channel